Inertet në Kir ndryshojnë rrjedhën, fshati në rrezik

Jan 11, 2012 | 12:48
Lumi Kir

Inertet e hedhura ndër vite në shtratin e Kirit kanë bërë që rrjedha e lumit të marrë drejtimin e fshatit Bleran. Lumi që përshkon periferinë e qytetit të Shkodrës rrezikon qindra banesa dhe dynymë tokë. Pothuajse e gjithë argjinatura në krahun e djathtë të Kirit nuk kryen asnjë funksion. Banorët e zonës kanë nisur të rrethojnë me gurë në formë parcelash zonën ku janë hedhur inertet për ta shitur si tokë trualli për ndërtime. Ndërkaq, e gjithë argjinatura e ndërtuar në krahun e djathtë të rrjedhës së lumit, për të cilën janë harxhuar miliona lekë, nuk kryen asnjë funksion, pasi lumi ka devijuar drejtimin në anën tjetër të tij.
Sipas banorëve, vetëm në dy vitet e fundit, për shkak të rrjedhës së lumit, fshatit Bleran i janë marrë katër hektarë tokë nga lumi Kir. Ata thonë se janë rreth 200 banorë që rrezikojnë përmbytjen nëse nuk ndërtohet argjinatura mbrojtëse në anën e majtë të rrjedhës së lumit. Kryeplaku i fshatit Bleran, Ndue Deda, u shpreh se prej shumë vitesh persona të ndryshëm, të pashqetësuar nga askush, kanë hedhur mbetje inertesh në shtratin e lumit Kir. “Kjo ka bërë që këtu të krijohet një sipërfaqe prej më shumë se një mijë metra kub materiale mbi shtratin e lumit. Për pasojë, lumi ka ndryshuar rrjedhën

Kryeplaku, Ndue Deda

natyrale të tij në drejtim të shtëpive tona. Ne kërkojmë nga qeveria që të marrin masa dhe të ngrihet argjinatura në krahun e majtë të rrjedhës së Kirit pasi po mbesim pa shtëpi dhe pa toka”, u shpreh Deda. Sipas tij, pjesët me inerte të hedhura në shtratin e lumit janë zënë nga banorë të zonës dhe po shitet si truall tokë për ndërtim. “Qeveria duhet të ndërhyjë për të rikthyer lumin në shtratin e tij, pasi rrezikohen me qindra banorë dhe banesa”, u shpreh më tej kryeplaku i fshatit Bleran.
Edhe drejtuesit e komunës Rrethina, në të cilën ndodhet zona në fjalë, u shprehën se bashkohen me shqetësimin e banorëve dhe se kërkojnë nga qeveria që të ndërhyhet për të ndërtuar një argjinaturë mbrojtëse për fshatin Bleran. Gjithashtu kërkohet nga ana e Inspektoratit të Mjedisit që të marrë masa që të mos lejojnë që të hidhen më inerte në lumë. Kiri, sidomos në periudhën e tanishme, ku ka reshje të shumta shiu, njihet si një lumë tepër i rrezikshëm për shkak të prurjeve të shumta dhe rrjedhës së rrëmbyeshme. Kjo e bën akoma më kërcënuese situatën e banorëve të kësaj zone.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura