Në muajin maj të vitit të ardhshëm, atëherë kur nis edhe sezoni turistik, zgjerimi i tunelit të Vlorës do të ketë përfunduar.
Por duket se zgjerimi i këtij tuneli që parashikohet të ngjasojë me atë të Kalimashit së paku për nga siguria, ndriçimi dhe sinjalistika, do të ketë pasoja në mjedisin detar. Firma e punimeve po i hedh inertet në det, duke shkaktuar kështu një dëm të konsiderueshëm mjedisor. Për këtë shkak, inspektorët e zyrës rajonale të mjedisit në Vlorë kanë dhënë alarmin te drejtuesi i tyre, e ky i fundit ka vënë në dijeni eprorët e tij në Ministrinë e Mjedisit. Pas verifikimit në vend të katastrofës mjedisore, ku inertet e hequra nga mali me gurë të stërmëdhenj rezultuan se hidheshin në mënyrë të papërgjegjshme në një nga zonat më të frekuentuara nga turistët, atë të Ujit të Ftohtë, u vendos masë ndëshkuese për firmën e punimeve. Burime nga Agjencia e Mjedisit në Vlorë bënë të ditur se pas konstatimit të dëmit të shkaktuar në det u vendos pezullimi i përkohshëm i punimeve dhe një masë administrative me 500 mijë lekë ndaj firmës ndërtuese. “Shkak i pezullimit të përkohshëm të punimeve nga firma që po zgjeron tunelin e Vlorës është bërë hedhja në mënyrë të papërgjegjshme e mbetjeve të inerteve në det. Gjithashtu është vendosur edhe një gjobë prej 500 mijë lekësh për firmën e punimeve. Ky pezullim nuk synon bllokimin e përhershëm të punimeve, por marrjen e masave në mënyrë të menjëhershme nga ana e firmës. Ne synojmë mbrojtjen e mjedisit detar”, bënë të ditur burime nga Agjencia e Mjedisit të Vlorës. Veç hedhjes së inerteve në det, thuajse është bllokuar edhe burimi i Ujit të Ftohtë. Gjithashtu, një masiv gurësh i hedhur mbi këtë burim rrezikon jetën e banorëve të Vlorës, por edhe të vizitorëve kureshtarë, të cilët mbushin ujë aty. Punimet për rikonstruksionin e tunelit të Ujit të Ftohtë kanë nisur pak kohë më parë. Një projekt i tillë do t’i japë frymëmarrje trafikut në qytetin e Vlorës, sidomos në sezonin turistik. Për të kryer këtë rikonstruksion janë vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare 75 milionë lekë. Punimet në të janë parashikuar të përfundojnë në muajin maj të vitit 2012. Në përfundim të punimeve, tuneli i Vlorës do të jetë 10 metra i gjerë, 4.7 metra i lartë dhe rreth 50 metra i gjatë. Tuneli do të ketë parametrat e tunelit të Kalimashit me të gjitha sistemet e sigurisë, ndriçim bashkëkohor dhe sinjalistikë.
QEMAL BIRAKU











