PESHKOPI – Bajram Himallari, kryetar i komunës Kala e Dodës dhe njëkohësisht kandidat i PS-së për një mandat tjetër dhe rivali i tij në garë Bujar Mahmutaj, përfaqësues i PD-së, do të hetohen në gjendje të lirë. Kështu bënë të ditur burime pranë organit të akuzës Peshkopi. Pak minuta pas përplasjes mes Himallarit dhe grupit që shoqëronte kandidatin e mazhorancës, në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë lokale, mirëpo palët e përfshira në konflikt ishin larguar prej aty. Pasi janë thirrur nga drejtuesit e policisë ata janë paraqitur dhe kanë dhënë dëshmitë
e tyre. Burime pranë Prokurorisë së rrethit Dibër saktësuan se dëshmitë e personave të përfshirë në konflikt kanë qenë të ndryshme. Himallari ka akuzuar kandidatin e PD-së Bujar Mahmutaj se e ka kërcënuar me armë zjarri, ndërkaq, policia shprehet se Himallari ka qëlluar një herë me pistoletë, por pa dëmtuar personat që i kishin zënë rrugën. Deklarimet e palëve janë administruar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër, ndërkohë që shtetasit e përfshirë në konflikt do të ndiqen në gjendje të lirë. “Vazhdojnë procedurat ligjore për të dokumentuar plotësisht këtë ngjarje”, thanë burime pranë organit të akuzës. Mësohet se as policia dhe as Prokuroria nuk dëshirojnë që fushata të tensionohet duke ndaluar kandidatë apo pjesëtarët e shtabeve të tyre elektorale. h.p











