Importi për riciklim, kusht për mbetjet e vendit

Nov 2, 2011 | 10:03

KLODIAN ALIU

Ligji i ri i mbetjeve ka ngjallur një debat normal në grupet e shoqërisë civile, që me të drejtë kanë mendimin e tyre për këtë problem që është shumë aktual dhe njëkohësisht shumë kompleks për një zgjidhje që të kënaqë të gjithë aktorët e interesit. Kam ndjekur debatin dhe në mirëkuptim të plotë me të gjitha mendimet për ligjin e ri, kam vërejtur se në përgjithësi problemi trajtohet në dy këndvështrime: në atë të shqetësimit qytetar  (emocional) dhe në atë politik, asnjë faktor nuk mund të përjashtohet dhe secili luan rolin që i takon në debat. Por, për të plotësuar kuadrin e nevojshëm të trajtimit të problemit, nevojitet gjithashtu trajtimi teknik dhe profesional, i cili mund t’u përgjigjet disa prej shqetësimeve qytetare dhe politike. Nga ky këndvështrim, do të përpiqem të ofroj për opinionin publik një trajtim teknik të çështjes më të debatuar të ligjit dhe pikërisht, “importit të mbetjeve të parrezikshme për qëllime riciklimi”. Argumentet që dua të paraqes, synojnë të sqarojnë rolin e importit të mbetjeve të riciklueshme (për lëndë të parë), për të mundësuar menaxhimin e përshtatshëm edhe të mbetjeve të vendit dhe se si importi në kushtet aktuale bëhet i domosdoshëm për shpëtimin e industrisë së riciklimit në vend, pa të cilën nuk do jemi në gjendje të riciklojmë mbetjet e vendit.
Hartimi i një ligji të ri për mbetjet, i cili do të bëjë të mundur një praktikë të re të menaxhimit të tyre, ka qenë një përgjigje e qeverisë ndaj rekomandimeve të vazhdueshme të raporteve të përvitshme të progresit të Komisionit Europian (Raportet e progresit të viteve 2006, 2007, 2008 dhe 2009), sepse legjislacioni dhe praktika ekzistuese e administrimit të mbetjeve nuk përputhet me standardet europiane. Importi i mbetjeve si lëndë e parë për proceset e prodhimit është praktike normale në rajon e më gjerë dhe një nga kushtet teknike të skemës zinxhir për menaxhimin e integruar te mbetjeve. Ne vendet e Bashkimit Europian (BE), koncepti i mbetjeve ka evoluar aq shumë, saqë edhe mbetjet e rrezikshme perceptohen si mall tregu, sjell në vëmendje se Komisioni Europian (Komunikatë për Shtyp e datës 29 shtator 2011) i kërkoi Sllovakisë, e cila e ndalonte eksportin e tyre, të ndryshonte legjislacionin e saj kombëtar, sepse me këtë ndalesë shkelte rregullat e BE për shkëmbimin e lirë të mallrave. Pra, sot në vendet e BE-së, mbetjet  trajtohen si mall i vlefshëm ku nëpërmjet avancimit të teknologjisë së riciklimit, prej mbetjeve mund të nxirren përfitime ekonomike, sociale dhe mjedisore, në vend që të flaken përrenjve e të mbulohen me dhera si plehra pa vlerë, duke u shoqëruar edhe me pasojat që dihen.
Aktualisht në vend funksionon një rrjet i gjerë subjektesh (rreth 60) që janë angazhuar në zgjidhjen e problemit të mbetjeve, dhe për mua ato janë në pararojë të shpëtimit të vendit nga plehrat, duke grumbulluar me vështirësi nga kazanët apo vendet ku hidhen plehrat, llojet e riciklueshme të tyre (kryesisht skrape metali, plastike e qelqi), ato pastrojnë çdo ditë mjedisin. Kjo sasi mbetjesh që grumbullohet në vend, nuk do të kishte asnjë vlerë në treg nëse nuk i nënshtrohej një trajtimi teknologjik për pastrimin, seleksionimin dhe copëtimin apo sjelljen në formën dhe cilësinë që e kërkon tregu apo kompanitë e huaja që e përdorin si lëndë të parë për prodhimin e produkteve të reja. Pikërisht hallka lidhëse midis grumbullimit të mbetjeve nga kazanët (të veçuar sipas llojit të mbetjeve) dhe tregut e përpunimit përfundimtar të këtyre mbetjeve është industria e riciklimit në vend, e cila pasi i blen mbetjet nga grumbulluesit, i përpunon për eksport në tregun e huaj ose futjen në procese prodhimi në vend (në disa artikuj ambalazhi). Sa më siper, vërej se edhe numri në rritje i kompanive që merren me mbetjet në vend së pari i përgjigjet kërkeses së tregut për to si lëndë e parë, por njëkohësisht përkon edhe me modelin europian të menaxhimit të mbetjeve. Pra, siç duket, edhe zgjidhja e problemit të mbetjeve po vjen nga rregullat magjike të tregut.
Si dëshmitar i diskutimeve për importin e mbetjeve për qëllime riciklimi, rendis më poshtë disa nga arsyet që mendoj unë se shtynë qeverinë të miratojë vendimin nr. 825, datë 13.10.2010 “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi” (që bazohet në listën përkatëse të EU);
1) Detyrimi ligjor (neni 22, i ligjit nr. 8934, datë 05.09.2002 “Për mbrojtjen e mjedisit”) për miratimin e listës së mbetjeve që mund të importohen për qëllime riciklimi;
2) Shmangia e spekulimeve dhe kontrabandës së mundshme me mbetjet, ne kushtet e mungesës së zbatimit të një procedure standarde me listë të përcaktuar mbetjesh që lejohen të importoheshin;

3) Zbatimin e një procedure transparente për importin e mbetjeve, përfshirë edhe këshillimin publik si kriter para vendimit përfundimtar për importin;
4) Nevoja për lëndë të parë të kompanive të riciklimit në vend, e cila në kushtet aktuale të përzierjes së mbetjeve në vend ishte pranë falimentit, duke rrezikuar që vendi të humbiste kapacitetet e domosdoshme për trajtimin e mbetjeve. Mosnxitja e investimeve në mjedis bie ndesh edhe me objektivat e strategjisë kombëtare të mbetjeve (miratuar me VKM. nr. 175, datë 19.01.2011, financuar nga BE dhe hartuar me ekspertizë të huaj).
5) Përmbushja e rekomandimeve te Komisionit Europian për trajtimin e mbetjeve nëpërmjet nxitjes dhe mbështetjes së industrisë së riciklimit ne vend;
Të pesta arsyet janë të barasvlershme për nga rëndësia dhe ndikojnë në forcimin e ligjit për çështjen e importit, duke krijuar një mekanizëm monitorues për publikun, i cili përfshihet gjate procedurës për miratimin e importit, merr informacion për llojin dhe volumin e mbetjeve, cilësinë e tyre, qëllimin, vendin ku do të trajtohen, si dhe subjektin përgjegjës.
Ndërkohe dua të sjell në vëmendje se procedura për importin e mbetjeve për qëllime riciklimi është miratuar që në vitin 2003 (me ane të VKM nr.806, datë 04.12.2003), por kjo procedurë nuk ishte zbatuar asnjëherë, siç e kërkon ligji, duke lënë vend për abuzime të mundshme.
Investimet në trajtimin e mbetjeve u mirëpritën dhe madje u nxitën e mbështetën edhe nga institucionet financiare të huaja, si: Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim (EBRD, IFC e USAID) dhe u bënë pikënisja e menaxhimit te përshtatshëm të mbetjeve, në këtë kontekst ato nuk u injektuan artificialisht e me qëllime të këqija për shoqërinë dhe mjedisin në vend.
Mbase është i panjohur fakti se vetë investitorët e biznesit të riciklimit kërkonin me insistim zbatimin e procedurës ligjore të importit (e cila pengohej për shkak të mungesës së listës së mbetjeve të riciklueshme që u miratua në vitin 2010), në mënyrë që të garantonin qëndrueshmërinë e investimeve të tyre dhe të dilnin nga rrethi i paragjykimeve. Dua të evidentoj se disa prej tyre kishin importuar disa here mbetje për lëndë të pare nëpërmjet procedurës së regjimit të lejimit për përpunim aktiv (leje e përkohshme, me kushtin që sasia e lëndës së parë që futet, të eksportohet përsëri në trajtë të përpunuar), por ata kërkuan një rregullim më të plotë ligjor të importit. Në këtë kontekst, lipset që këta investitorë të falënderohen dhe jo të kritikohen, akuzohen apo më keq, ndëshkohen se kërkuan një zgjidhje transparente dhe një standard europian të importit të mbetjeve për lëndë të parë.
Theksoj se mungesa e industrisë së riciklimit krijon një boshllëk  në ciklin e menaxhimit të mbetjeve, sepse është një element i pazëvendësueshëm në skemën standarde të trajtimit mjedisor të mbetjeve. Për ta thjeshtuar, kjo industri është si mulliri që bluan drithin dhe e kthen në miell me qëllim që më pas të kalohet në një fazë tjetër, atë të prodhimit të brumit dhe të bukës (a mund të bëhet brumë me kokrrat e grurit?!). Pra, në mungesë të kapaciteteve të riciklimit të mbetjeve, Shqipëria nuk do të munde asnjëherë të lehtësojë kostot financiare dhe mjedisore të mbetjeve (deri në eksport të mbetjeve), sepse që të ripërdoren apo riciklohen mbetjet, duhet t’u nënshtrohen disa proceseve teknologjike paraprake, si: seleksionimi, pastrimi, copëtimi e paketimi me qëllim që të përmbushin standardet e cilësisë që kërkon sektori i prodhimit apo tregu ndërkombëtar i mbetjeve si lëndë të parë.
Importimi i mbetjeve të riciklueshme nuk duhet kuptuar si qëllim në vetvete, por është një mase e diktuar nga gjendja aktuale e menaxhimit të mbetjeve në vend, një masë që mbron kapacitetet ekzistuese të riciklimit, pa të cilat vendi nuk do të mund të riciklojë asnjëherë mbetjet dhe as do të mund të zbatojë praktikën europiane të menaxhimit të mbetjeve.
Me krijimin e një praktike të re të menaxhimit të mbetjeve, importi i mbetjeve për qëllim riciklimi mund të reduktohet dhe kompanitë e riciklimit nuk kanë pse të importojnë me kosto të larta kur e sigurojnë sasinë që u duhet në vend me kosto të ulët, në cilësinë e kërkuar dhe pa procedura burokratike.
Disa prej jush mund të pyesin, po sikur industria të presë derisa  mbetjet të grumbullohen në mënyrë të ndarë si në BE dhe të mos importojë deri atëherë? Problemi është se edhe kjo industri u bindet ligjeve të ekonomisë, në të është investuar, ajo ka kosto fikse dhe për më tepër ndërprerja e punës nga kjo industri i çon ato drejt ndryshkjes dhe falimentimit të sigurt (ky është rregull universal). Asnjë qeveri e përgjegjshme nuk do çonte drejt falimentimit industrinë e riciklimit, e cila për shkak të natyrës së aktivitetit mbijeton me vështirësi dhe në mjaft shtete ajo subvencionohet edhe nga vetë shteti.
Patjetër që disa prej nesh do të ishin më të kënaqur nëse do të ndalohej fare importi i mbetjeve të riciklueshme dhe lëndëve të para (që kanë origjinë nga përdorime te mëparshme apo prej mbetjeve), por kjo bie ndesh me ligjet universale të ekonomisë së tregut të lirë, me gjendjen faktike të industrisë së riciklimit në vend dhe nuk përkon me standardet e BE të menaxhimit të mbetjeve.
Megjithatë, theksoj se jo te gjitha kompanitë ricikluese në vend kanë kapacitete dhe interes të importojnë mbetje, import mund te kryejnë vetëm kompanitë me kapacitete të larta profesionale dhe teknologjike. Edhe pse në vend funksionojnë rreth 60 subjekte që merren me mbetjet, vetëm më pak se 10% e tyre mund të përmbushin kushtet për të importuar mbetje për lëndë të parë dhe që aktualisht tërheqin, përpunojnë dhe eksportojnë sasi të konsiderueshme të mbetjeve të vendit (kryesisht skrapet e plastikës, metaleve dhe qelqit, të dhëna të sakta gjenden në Zyrat e Doganave).
Ne vijim të sa parashtrova më sipër, është me rëndësi thelbësore mbështetja dhe nxitja e investimeve të trajtimit e riciklimit të mbetjeve, duke u bazuar ne modelin europian dhe duke lënë pas praktikën primitive të pastrimit dhe groposjes së mbetjeve si mall pa vlerë. Për aq kohë sa nuk do të futen konceptet europiane në menaxhimin e mbetjeve në vend, problemi i mbetjeve do mbetet brenda rrethit vicioz që vonon zgjidhjen dhe angazhimin e qytetarëve në mbrojtjen e mjedisit. Kundërshtimet jo profesionale të ligjit të ri të mbetjeve, pavarësisht pikënisjes së tyre, rrezikojnë të lënë vendin pa zgjidhje të problemit të mbetjeve që është tepër shqetësues për të gjithë dhe nuk u përgjigjet kërkesave qytetare, zhvillimore dhe integruese. Me përgjegjësi profesionale dua të garantoj të gjitha palët e interesuara se procedura aktuale për importin e mbetjeve për qëllime riciklimi kalon në shumë filtra vlerësimi teknik institucional dhe, duke parandaluar mundësinë për abuzime, ajo garanton kështu mbrojtjen e mjedisit. Pra (duke iu referuar titullit të këtij artikulli), rëndësia e importit të mbetjeve për qëllime riciklimi qëndron në faktin se ajo mundëson ruajtjen dhe fuqizimin e kapaciteteve vendëse të riciklimit të mbetjeve (rëndësia e së cilës u parashtrua më sipër).
Është shumë vonë për të qenë pesimistë, mendoj se shoqëria civile duhet të fokusohet në monitorimin e procedurave dhe zbatimit të ligjit që garantojnë interesat qytetare, shëndetësore, ekonomike dhe mjedisore të vendit. Shqipëria sapo ka nisur rrugën e vështirë të riciklimit të mbetjeve, në të cilën jemi të vonuar (Norvegjia në vitin 2009 rikuperoi “rickilim, ripërdorim” rreth 78% të mbetjeve të parrezikshme) dhe, si për zgjidhjen e çdo problemi të përbashkët, nevojitet bashkëpunim dhe jo luftë nga llogoret respektive!

* Përgjegjës i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujerave

© Panorama.al

Te lidhura