Imazhe tronditëse, Venezuela hap varre masive për viktimat e tërmeteve, mbi 3.500 të vdekur

Jul 7, 2026 | 11:58

Venezuela ka nisur hapjen e varreve masive për viktimat e dy tërmeteve të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që goditën vendin dhe kanë shkaktuar deri tani mbi 3.500 viktima.

venezuele varre masiver

Pamjet e filmuara me dron dhe të publikuara nga agjencia franceze AFP tregojnë rreshta të tërë varresh të hapura, me kapacitet për rreth 2.000 trupa.

Autoritetet venezueliane kanë bërë të ditur se viktimat që nuk do të identifikohen do të varrosen me një numër identifikimi dhe fotografi, në mënyrë që familjarët t’i identifikojnë më vonë dhe të dinë vendin ku janë varrosur.

Sipas bilancit më të fundit të publikuar nga presidenti i Parlamentit, Jorge Rodríguez, numri i të vdekurve ka arritur në 3.535, ndërsa 16.740 persona kanë mbetur të plagosur. Megjithatë, autoritetet druhen se bilanci do të rëndohet edhe më tej, pasi mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur dhe ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën mes rrënojave.


Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në zonat e prekura dhe ka angazhuar ushtrinë, ekipet e emergjencës dhe vullnetarët për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve, për të strehuar të pastrehët dhe për të rikthyer shërbimet bazë, si energjia elektrike dhe furnizimi me ujë të pijshëm.


Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se do t’u dërgojë autoriteteve venezueliane 10.000 qese mortore, duke paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm. Sipas vlerësimeve paraprake, rreth 2.500 ndërtesa janë shkatërruar plotësisht.

© Panorama.al

Te lidhura