Ilva Tare rikthehet në “Tonight” me idhullin e saj David Frost

Sep 3, 2011 | 13:05

Ka menduar që këtë sezon të ri, programit të saj “Tonight”, gazetarja e njohur Ilva Tare ta nisë ndryshe me rrëfimin e një të huaji. Edhe pse situata politike dhe sociale ka qenë e zhurmshme këtë verë, ndryshe nga sa ndodh zakonisht në këto muaj pushimi për të gjithë, Ilva ka preferuar që të ftuarin e parë për sezonin 2011-2012 në “Ora News” ta sjellë nga Londra, atje ku ka preferuar të kalojë dhe pushimet këtë verë. Është një intervistë e veçantë, që ajo e ka publikuar nëpërmjet një spoti të ri televiziv, për të filluar kështu maratonën e programeve të darkës, çdo të martë dhe të premte. Këtë fillimsezoni ka ftuar në një rrëfim ndryshe personalitetin mediatik britanik, i njohur për intervistat e tij serioze me figura të shquara politike, ku më i bujshmi është me Presidentin amerikan, Richard Nixon. Që nga viti 2006, ai drejton programin e përjavshëm “Frost Over the World” në kanalin “Al Jazeera” në gjuhën angleze. Në një shkrim ku shpjegon arsyet pse vendosi të ketë në studio të parin, Sir. David Frost, Ilva thotë se “Gjithmonë më ka pëlqyer shprehja “Kur ëndërron, ëndërro të paimagjinueshmen” dhe kështu bëra kur vendosa të intervistoja Sir David Frost-in për “Tonight” Ilva Tare në “Ora News”. Më tej ajo thotë “Publiku shqiptar ndoshta nuk e njeh personazhin Frost, por nuk mund t’i shpëtojë admirimit për gazetarin që gozhdoi Nixonin dhe 72-vjeçarin, që del çdo javë në ekran, duke vazhduar rrugëtimin e tij të intervistave me më të mëdhenjtë e botës, siç ka bërë në 47 vitet e fundit të jetës së tij”. Ilva Tare tregon se ka dhe një arsye madhore, se pse është pikërisht ky i ftuar në studion e saj. Ajo tregon se deri diku ai është idhulli i saj, pasi ka qenë model frymëzimi për të, kur në vitin 2005 nisi emisionin informativ të mëngjesit në TV Klan “Ora 7”, ndërkohë që pëlqente emisionin e tij të mëngjesit në BBC. Në vitin 2006, Sir David Frost braktisi BBC-në për rrjetin më të përfolur të kohës, Al Jazeera English. Ndërsa në vitin 2008 filmi Frost/Nixon dhe kandidimi për “Oscar” i Michael Sheen, që portretizoi David Frost-in, e riktheu sërish gazetarin në qendër të vëmendjes në botën e Hollyvood-it. Pas një periudhe largimi drejt Londrës, Ilva Tare iu rikthye pasionit për televizionin në Tiranë dhe prej janarit 2011 u bë imazhi më i ri i televizionit informativ “Ora News”.

© Panorama.al

Te lidhura