I vodhën 8 mijë euro, Rajoviç: Desh humba ndjenjat

Mar 22, 2011 | 9:37

Natyrshëm që është përjetuar si mos më keq, vjedhja që u ka ndodhur tre prej lojtarëve të ekipit të Vllaznisë. Një rast që nuk ndodh shpesh, por që ka shokuar më tepër se të gjithë të tjerët mbrojtësin e majtë të ekipit shkodran, serbin Vladimir Jasiç. Ai ka qenë një nga më të dëmtuarit e vjedhjes që është bërë të dielën në godinën ku jetonin malazezët Mirsolla Vujadinoviç dhe Blazho Rajoviç. Jasiç e ka pësuar më keq se të gjithë, sepse i kanë marrë një shumë prej 8500 eurosh. “Jam i shokuar nga ajo që ka ngjarë, – ka thënë Jasiç- është mundi i një sezoni të tërë, nuk di se çfarë të them më tepër. Unë kam familje dhe detyrime, imagjinoni sa të vështirë e kam. M’u përmbys bota kur pashë se si e kishin plaçkitur shtëpinë tonë. Më pas, kur pashë se lekët nuk ishin në vendin ku i kisha lënë, për pak sa nuk më ra të fikët. Janë shumë para sinqerisht, dhe çdo familjar do ta kishte të vështirë të përballonte një humbje të tillë”, ka vijuar ai. Po aq të tronditur janë ndjerë dhe dyshja malazeze e ekipit, portieri Vuajdinoviç dhe qendërmbrojtësi Rajoviç. “Kemi mbetur të tronditur nga një gjest i tillë. Këtu na respektojnë të gjithë dhe kurrë s’do të na e merrte mendja se do të ndodhte kjo”, janë shprehur ata. Për t’u solidarizuar me tre lojtarët që kanë humbur paratë, Vujadinoviç dhe Rajoviç (vetëm nga 1 mijë euro), mësohet se shokët e ekipit do të përpiqen t’i mbështesin sadopak financiarisht. Dje në ambientet e skuadrës shkodrane është hedhur ideja që lojtarët në rast të ndonjë premoje, të sakrifikojnë të gjithë nga pak, për t’ua kompensuar disi humbjen financiare kolegëve të tyre.

© Panorama.al

Te lidhura