MEMALIAJ – I pandehu si grabitës, qëllon me çifte dy adoleshentë. Policia arrestoi autorin e ngjarjes që ndodhi në qytetin e Memaliajt, 59-vjeçarin Gëzim Hysa. Sipas burimeve policore, Hysa
plagosi me armë gjahu shtetasit E. L. dhe L.M., që të dy 17-vjeçarë nga qyteti i Memaliajt. Mësohet se 59- vjeçari është arrestuar 30 minuta pas ngjarjes që ndodhi mbrëmjen e së hënës, rresh orës 23:30. “Hysa, i cili rezulton të jetë i dënuar më parë për vjedhje, ka qëlluar me një armë gjahu e prodhimit belg dy të rinj, duke u shkaktuar atyre plagë në trup”, bëri të ditur policia. Të njëjtat burime bënë të ditur se adoleshentët janë gjendur rastësisht para banesës private të Hysës në momentin kur po shkonin në familjet e tyre, fill pasi kishin qenë në një lokal duke parë një ndeshje futbolli të kampionatit italian. Në këtë moment, autori, duke i pandehur grabitës, ka rrëmbyer armën e gjahut, të cilën e mbante të fshehur në një plevicë, dhe e ka shkrehur në drejtim të tyre. Menjëherë pas të shtënave policia mbërriti në vendin e ngjarjes. Ata sekuestruan armën e krimit, ndërsa 30 minuta më pas kryen arrestimin e autorit. Ndërkaq, dy adoleshentët e plagosur u dërguan me urgjencë në spitalin e Gjirokastrës. Sipas mjekëve kirurgë, dy adoleshentët ndodhen jashtë rrezikut për jetën ndonëse plagët e tyre në trup kanë qenë serioze. Ndaj Gëzim Hysës rëndojnë veprat penale të plagosjes së lehtë me dashje dhe prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve të gjahut. p.n











