TIRANE – Një person i kërkuar për vrasje i vendosi dje flakën makinës së një studenteje, banuese në zonën e “21 dhjetorit” në Tiranë. Protagonist i ngjarjes është shtetasi Ervis Tafaruçi, 31 vjeç nga Durrësi. Ngjarja ka ndodhur në orët e mëngjesit të ditës së djeshme, kur automjeti tip “Renault Clio” ka marrë flakë fare pranë komisariatit nr.2 në kryeqytet. Burime nga policia thanë se menjëherë pas ngjarjes, autori i saj, Ervis Tafaruçi nga Durrësi, ka rënë në pranga. Arrestimi i tij u krye, teksa ai mbante ende në dorë bidonin e benzinës, me të cilin kishte spërkatur makinën tip “Reno Clio”, në pronësi të studentes Denada K. Dyshimet e policisë janë se i kërkuari i ka hedhur 5 litra benzinë dhe më pas i ka vënë flakën makinës së parkuar në një bllok pallatesh. Policia tha se gjatë shoqërimit në Komisariatin nr.2, i dyshuari Tafaruçi ka bërë rezistencë, duke mos pranuar se ishte ai personi që dogji makinën. Ai ka thënë se është ndodhur rastësisht në vendin e ngjarjes e madje ka tentuar të pengojë autorin që i ka vënë zjarrin makinës. Nga ana tjetër, duke qenë i vetëdijshëm se kishte probleme me drejtësinë, 31-vjeçari ka dhënë gjeneralitete të rreme. Ai është prezantuar para oficerëve të policisë si Edmond Qarri, banues në Kavajë, por verifikimi i gjurmëve të gishtave ka zbuluar identitetin e tij të vërtetë. Policia zbuloi se autori i ngjarjes ishte person në kërkim nga policia e Durrësit që prej muajit korrik të vitit 2009. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, Ervis Tafaruçi ka dhënë tri deklarata të ndryshme, duke u përpjekur të fshehë motivin e ngjarjes. Fillimisht, nuk ka pranuar autorësinë e vënies së zjarrit në makinë, por më pas ka thënë se do të fliste për ngjarjen vetëm në praninë e avokatit të tij. Pasi ka mësuar se makina që kishte djegur i përkiste një vajze, e cila është studentja e Universitetit të Tiranës, Denada K., i dyshuari ka pretenduar se e njeh vajzën. I ndaluari ka thënë se kishte tentuar të lidhej me pronaren e makinës, por meqë ajo nuk ka pranuar, është hakmarrë duke i vënë flakën mjetit. Policia, nga ana tjetër bëri verifikimet e saj dhe zbuloi se ngjarja ka qenë një ngatërresë. Makina e djegur nga 31-vjeçari mësohet se disa muaj më parë është përdorur nga një djalë. I ndaluari ka thënë se e njeh këtë person të cilin e akuzon se e ka spiunuar në polici për plagosjen që ai ka kryer bashkë me dy persona të tjerë në plazhin e Durrësit. Policia tha se ky është edhe varianti më i mundshëm që shpjegon motivet e ngjarjes. Nga verifikimet e policisë, rezulton që makina ka qenë në pronësi të një djali, i cili më pas ia kishte shitur studentes Denada K.. Policia e Tiranës ka vënë në dijeni policinë e Durrësit për arrestimin e Ervis Tafaruçit, pasi ai kërkohej për vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit maqedonas, Besnik Kulla, në korrik të vitit 2009.











