I dërguari i Bundestagut: Të moderuarit në PS të punojnë me Qeverinë

Mar 22, 2011 | 9:46

I dërguari i Bundestagut gjerman, deputeti Roderich Kiesewetter, vizitoi dje Tiranën ku u takua me Kryetaren e Kuvendit, Topalli. Në një prononcim për mediat, ai i bëri thirrje pjesës së moderuar të PS-së të bashkëpunojnë me qeverinë për integrimin e vendit. “Vendi im, Gjermania, mundi të kapërcente vështirësitë pas luftës së ftohtë pikërisht, duke pasur një bashkëpunim të suksesshëm dhe krah për krah mes qeverisë, opozitës dhe popullit. Ndaj, kërkesa jonë do të ishte drejtuar opozitës dhe qeverisë, për të kërkuar dialogun midis tyre. Gjithashtu, do t’i drejtoheshim edhe forcave të moderuara të Partisë Socialiste për të bërë të mundur që të gjejnë, për të liruar rrugën e bashkëpunimit me qeverinë”, deklaroi ai. Deputeti i kristian-demoktratëve gjermanë, tha më tej se bojkoti 2-vjeçar i opozitës ka sjellë probleme për vendin. “Me lejoni që si Parlamentar, si deputet i Gjermanisë të shpreh gjykimin dhe mendimin tim në lidhje me bllokadën politike që Partia Socialiste i bën Parlamentit të vendit tua,j prej pothuaj dy vitesh. Pikërisht, në këtë mënyrë bllokohet miratimi i ligjeve të rëndësishme, bllokohet realizimi i kushteve të rëndësishme të cilat do të ishin të domosdoshme në përmbushjen e tyre për përafrimin dhe për rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, shtoi Kiesewetter. Ai këkroi arritjen e konsensusit mes të dyja palëve për hir të vendit. Deputeti gjerman u ndal edhe në ngjarjet e 21 janarit, duke kërkuar një hetim të plotë për ngjarjet e dhunshme. “Unë e them edhe njëherë mjaft qartë se konsensusi, përputhshmëria, gjetja e një gjuhe të përbashkët në këtë rrugë nuk është shenjë dështimi apo mposhtjeje, por është një shenjë fitoreje. Në mbyllje, do të doja të thoja në mënyrë krejtësisht të qartë, që ngjarjet e 21 janarit duhet të sqarohen dhe mbi to duhet të hidhet dritë në mënyrë mjaft të kujdesshme dhe të qartë. Këtu element i domosdoshëm janë hetimet e kujdesshme dhe të pavarura, por sigurisht edhe një analizë e pastër e asaj çka u parapriu këtyre ngjarjeve dhe informimi i publikut në lidhje me këtë. Kjo do të ishte mjaft e rëndësishme për elementin e shtetit ligjor në Shqipëri dhe për kredibilitetin e tij në vend”, deklaroi Kiesewetter.

© Panorama.al

Te lidhura