Hyka: Koha e të rinjve, sytë nga tekniku i ri

Nov 10, 2011 | 9:52
Jahmir Hyka

Jahmir Hyka  theksoi në konferencën e djeshme se në dy ndeshjet e radhës, por edhe më tej, është koha që stafetën ta marrin lojtarët e rinj të Kombëtares, ose ata që kanë luajtur më pak gjatë dy viteve të fundit. “Normal, si për të gjithë, vjen një moment kur largohesh nga Kombëtarja, dhe në rastin konkret na bie ne të rinjve që të zëvendësojmë lojtarë si Skela, Lala apo edhe Duro. Gjykoj se kjo skuadër ka elementë të rinj që mund të jenë të denjë të zbresin në fushë dhe të luajnë në maksimumin e tyre për të bërë të mundur që të mos ndihet mungesa e veteranëve. Emocione? Për mua jo, pasi luaj me Kombëtaren prej disa vitesh, por për ata që janë rishtazi, sigurisht që ka emocione, ndaj në gjykimin tim duhen mirëkuptuar dhe u duhet lënë pak kohë që të ambientohen”, ka thënë dje Hyka. Më pas, ai ka prekur edhe temën e trajnerit duke theksuar: “Çdo trajner kur vjen në drejtim mundohet të bëjë më të mirën, ndaj gjykoj se paçka se skuadra nuk ka marrë rezultate shumë të mira, ka deri diku një rritje. Për mua është e rëndësishme që trajneri të jetë i aftë t’u transmetojë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme idetë dhe mendimet e tij lojtarëve, me qëllim që këta të fundit të mund të realizojnë atë që ai dëshiron”, tha Hyka.

© Panorama.al

Te lidhura