Humbja e Flamurtarit ndaj Bylisit ka ngjallur festime në Korçë, teksa bardhekuqtë e shohin veten ende në garë. Tri pikë diferencë tashmë mes Flamurtarit dhe Skënderbeut nuk duken shumë, ndërsa shpresat pas hutimit që ka pësuar ekipi nga rezultati ndaj Besës, janë rritur ndjeshëm. Agim Zeqo, presidenti i Skënderbeut, i bën skanerin takimit të Flamurtarit, ndërsa vazhdon të besojë se titulli është më pranë kur kampionati ka dhe 9 javë të përfundojë, por pa harruar të tregojë lojën e pandershme, siç thotë ai, që bën ekipi i Flamurtarit. “Isha i sigurt se Flamurtari do të pësonte humbje në Ballsh. Kjo siguri më vinte për faktin se në këtë qytet do të luhej futboll i vërtetë dhe ashtu ndodhi. Flamurtari i ka humbur të gjitha ndeshjet që nuk i ka blerë dot. Tri pikë diferencë me vendin e parë nuk janë asgjë, po të kemi parasysh që janë edhe 9 ndeshje të tjera. Ekipi ynë rival ka tani dhe një tjetër ndeshje miqësore javën tjetër me Kavajën. E them këtë se gjatë ndeshjes Besa-Skënderbeu vura re që i gjithë stadiumi thërriste “Vlora, Vlora” dhe kjo ndodhte në Kavajë, teksa për çudi asnjëherë nuk u thirr ashtu sikundër do ishte normale “Besa, Besa”. E parë në këtë këndvështrim, jam i sigurt që ndeshjen e radhës e kanë miqësore, si dhe shumë të tjera. Por pavarësisht nga çfarë bën kundërshtari ynë, ne duhet të bëjmë punën tonë duke marrë maksimalen në këto javë që kanë mbetur”, ka theksuar në një prononcim Zeqo.











