Homo ludens vs Big Brother

Mar 10, 2011 | 10:25

GJERGJ META

Në vetë natyrën e tij, njeriu është lojtar dhe loja i shkon për shtat, madje i rri natyrshëm. Nuk është vetëm argëtim, por edhe një përmasë antropologjike e nevojshme që ndihmon njeriun të vërë në lëvizje energji e potenciale, që ndryshe mbeten të ndrydhura brenda tij. Sa herë del në pah p.sh. brenda nesh fëmija i strukur nga komplekset e një njeriu kinse të rritur? Kjo do të thotë se përmasa lojtare nuk i përket vetëm fëmijës, por të gjithë njeriut, në të gjitha moshat dhe etapat e tij. Si e tillë, pra, loja është pjesë e natyrshme e njeriut për këtë ai është përkufizuar edhe si homo ludens (njeriu që luan). Por çfarë ka të bëjë me këtë gjë ana tjetër e litarit (meqenëse në titull kam vendosur një vs), pra show televiziv Big Brother? E them menjëherë, pa asnjë mëdyshje se ai realitet virtual jo vetëm në Shqipëri, por kudo tjetër në botë, është shfaqja më e prekshme dhe më e dhunshme e zvetënimit të njeriut postmodern (po përdor fjalën zvetënim, pasi me këtë kam pare të përkthehet fjala e huaj perversion). Është një lloj pornografie e parazitizmit të disa personave të futur në një kafaz, që u duhet të luajnë “një lojë” të mbrapshtë për një shumë parash. Big Brother është një lloj otium mater vitiorum (dembelia nana e të gjitha veseve). Koha post-moderne ka shumë zvetënime të tilla që trondisin në themel të qenit njeri dhe e plagosin thellë sistemin vleror të mbështetur në ligjin natyror, duke nisur nga vrasja e jetës së pafajshme nëpërmjet abortit apo luftërave masakruese, nga abuzimi e keqtrajtimi i fëmijëve e grave, në çnatyrimin e martesës dhe familjes, duke shitur për të tilla edhe bashkëjetesën apo lidhjen homoseksuale, e duke vazhduar me politikat korruptive të përbotshme e vendore deri të sistemet e zvetënuara financiare dhe ekonomike, që synojnë sundimin e botës dhe jo vetëm. Çfarë lidhje ka Big brother me të gjithë këtë panoramë, do thosha shqetësuese? Së pari, përçudnon njeriun në përmasën e tij ludike (lojtare), pasi kjo (pseudo) lojë nuk mbështetet mbi transparencën, kompeticionin dhe ndershmërinë. Të tria këto virtyte janë të mohuara në këtë lojë. 24 orë para telekamerave, me gjithë detajet e jetës së përditshme, nuk është transparencë, por është pornografi në plot kuptimin e fjalës dhe të përkufizimit të saj me përshtatjet e duhura. Sikurse pornografia nuk është dashuri, ashtu kjo tjetra nuk është transparencë. Transparenca është mbi të gjitha një përmasë shpirtërore, sepse do të thotë të jesh vetvetja gjithmonë e kudo. A ndodh kjo në Big Brother? Jo! Po ashtu kompeticioni dhe ndershmëria, të cilave nuk po i hyj me thelle t’i analizoj, pësojnë në këtë format televiziv shpërfytyrim. Loja në vetvete nuk është e lidhur me interesa materialë dhe asnjë përftim nuk mund të vijë prej saj. Kështu e përshkruan lojën një autor, që ka shkruar edhe një libër me titull Homo ludens (Johan Huizinga). Kjo jona atëherë nuk është lojë, pasi në thelb i mungon gratuiteti.
Përveç përçudnimit të atyre që marrin pjesë ka edhe një aradhë njerëzish që janë spektatorët, të rinj, të vjetër e fëmijë, duke qenë se sipas statistikave të reklamuara nga TV, ajo është “shtëpia më e famshme në Shqipëri”, pra ka një audiencë të madhe. Cilat janë modelet që përcillen nga ky show? Ai apo ajo që kundër konsensusit të familjes vendos të hyjë aty. Ai apo ajo që ka një të dashur apo një të fejuar jashtë dhe zë një tjetër brenda. Ai apo ajo që ka një sjellje homoseksuale mashkullore apo femërore dhe e reklamon këtë si gjënë për të cilën ata që nuk e kanë e nuk duhet t’u vijë turp. Zgjedhje që bazohen mbi emotivitetin dhe instinktin lartësohen në rangun e kërkimit të një lirie të mohuar e në të vërtetë ajo liri e reklamuar aty, pëson një goditje pothuajse vdekjeprurëse. Ajo shtëpi është “shtëpia më e famshme në Shqipëri”, por vetëm për perversionin e saj. E vërteta është se shumë familje janë të ngujuara në shtëpi, kur fillon spektakli. Bëhen tifozë me njërin apo me tjetrin, emrat dhe zgjedhjet e personazheve zënë vend në biseda të dëshpëruara mikeshash e miqsh. Çfarë mund të mësojë një i ri apo një e re që dëshiron të ketë një lidhje me qëllim martesën, që sa herë t’i paraqitet një alternativë me thjeshtësinë më të madhe dhe pa pikën e turpit, lë atë e merr një tjetër? Apo për të arritur një qëllim mund të përdoren të gjitha mjetet, qoftë edhe duke shkelur mbi tjetrin?
Pasiguria, instinkti, depersonalizimi, intriga, klani, thashethemi, e folmja pas krahëve, dyftyrësia në këtë show, ngrihen në “vlerë” dhe përligjen me qëllim eleminimin e tjetrit apo të tjerëve për nxjerrjen e vetvetes në pah, duke kërkuar me çdo mënyrë fitimin e një shume parash. Mospasja e skrupujve në përfoljen apo prapaskenën ndaj të tjerëve shihet në dritën e diellit (dhe të reflektorëve) dhe kalon si një fakt normal, duke harruar se vlerat e vërteta janë ndershmëria, mbajtja e fjalës, luajaliteti, përvujtnia, solidariteti, besnikëria, delikatesa etj.
Çfarë mund të bëhet? Së pari, kush ka pak sens kritik në jetë, di të ndajë shapin nga sheqeri, di të dallojë falsitetin nga e vërteta, virtualen nga realja. Të paktën mbani fëmijët nën 18 vjeç larg nga programe të tilla, që nuk janë të ndryshme nga ato me dhunë apo me skena të skajshme erotike.
Së dyti, një reflektim i shëndoshë rreth cilësisë së tv në përgjithësi, do të ishte një gjë e mirë. Është e vërtetë që gazetaria televizive apo spektakli origjinal në Shqipëri është i pakët, për të mos thënë joekzistues, por edhe të marrësh e të pësosh dhunshëm modele zvetënuese e tjetërsuese që vijnë nga perëndimi modern pa asnjë lloj filtri bashkë me të gjithë plehnajën që ndodhet brenda vetëm për komercializëm, është një padrejtësi ndaj publikut.
Përftimi ekonomik dhe pushtete okulte e perverse udhëheqin jo vetëm mjetet e komunikmit social, por edhe sportin, politikën e shkencën. Falë Zotit, e keqja ka një limit e ky limit është aftësia e njeriut për të dashur përnjëmend, për të besuar përnjëmend e për të shpresuar përnjëmend. Nëse në romanin e George Orwell, 1984, syri i Vëllait të Madh ishte mekanizmi i vënë në funksionim nga sistemi komunist, që nëpërmjet sigurimit, të kishte kontrollin mbi gjithçka. Sot kohët kanë ndryshuar, por jo thelbi i Vëllait të Madh. Sloganet e Vëllait të Madh, të përshkruar nga Orrwell ishin këto: “Lufta është paqe. Liria është skllavëri. Injoranca është fuqi”. Inteligenti pauca!

© Panorama.al

Te lidhura