Për Shqipërinë është momenti i duhur që të zbatojë një amnisti të plotë fiskale, por kjo me premtimin që të mos përsëritet në të ardhmen dhe paralelisht të forcohet administrata tatimore dhe lufta ndaj evazionit fiskal. Kështu gjykon deputeti i Partisë Demokratike, Sybi Hida, në një intervistë për gazetën, lidhur me çështjen e amnistisë fiskale. Sipas tij, kjo nismë është në linjë me atë të deklarimit të të ardhurave personale që do të zbatohet në vend. Jo gjithmonë amnistitë në botë kanë rezultuar të suksesshme, por në rast se po, përfitimi është si për biznesin ashtu dhe për individin.
Berisha propozoi dje dy variante për amnistinë fiskale. E para ishte ndryshimi i kodeve, pra amnisti e cila krkon 3/5 e votave, dhe varianti i dyte ishte ai i faljes se detyrimeve. Kush është ndryshimi mes te dyjave dhe cila i nevojitet Shqiperisë në këto momente.
Amnistitë fiskale janë një fenomen i përhapur në shumë vende pavarësisht qëndrimeve kontradiktore ndaj tyre. Amnistitë fiskale u krijojnë mundësinë individëve apo kompanive, normalisht gjatë një periudhe kohe të shkurtër, të paguajnë vullnetarisht taksat e papaguara me një gjobë të reduktuar ose madje pa gjobë, por duke i garantuar atyre që nuk do të jenë subjekt i ligjit që dënon evazionin fiskal. Amnistitë fiskale janë zbatuar si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në vendet në zhvillim. Megjithatë, eksperiencat e ndryshme tregojnë që suksesi i amnistive fiskale nuk është i garantuar, dhe jo gjithmonë përputhet me parashikimet e politikbërësve. Shqipëria nuk ka përdorur asnjëherë amnisti të plotë fiskale edhe pse niveli i evazionit fiskal ka qenë në nivele të larta. Gjatë periudhës komuniste, shqiptarëve u kërkohej të mendonin që ata nuk paguanin taksa, ndërsa me fillimin e ekonomisë së tregut ata nuk pëlqenin të paguanin taksa, madje pagesa e taksave shihej si një shenjë dobësie. Një sjellje e tillë e kombinuar me një zhvillim të rrëmujshëm, ka rezultuar me një evazion të lartë fiskal, i cili ka ardhur duke u ulur me kalimin e viteve. Pyetja që shtrohet është se çfarë qëndrimi duhet të mbahet në Shqipëri për të gjithë atë kapital që është grumbulluar pa iu nënshtruar sistemit të taksave? A është e nevojshme që të përdorim amnistinë fiskale në Shqipëri, si mjet i legalizimit të këtyre pasurive apo duhet të vazhdojë të zbatojë ligjin kundër evazionit fiskal, pavarësisht se në çfarë kohe është kryer ai? Një pyetje e tillë ka qëndruar në kokat e politikbërësve për një kohë të gjatë, por ajo ka marr një rëndësi më të veçantë kohët e fundit, për faktin që Shqipëria po kalon një fazë ndryshimi kulmor, duke qenë më afër Bashkimit Evropian. Një arsye tjetër përse është e nevojshme amnistia në këtë momente, është edhe fakti që sapo është miratuar ligji i deklarimit integral të të ardhurave dhe do të ishte logjike që ai të zbatohet duke u bazuar në një mjedis të pastër.
Por, për t’iu përgjigjur pjesës së parë të pyetjes, ndryshimi midis faljes së detyrimeve dhe amnistisë së plotë fiskale që kërkon ndërhyrje në kode, është që falja e detyrimeve është thjesht, në kuptimin e amnistisë, një procedurë normale e amdiministrimit tatimor. Falen ato detyrime të papaguara, por të njohura nga administrata tatimore, si taksa të papaguara apo gjoba të papaguara. Ndërsa amnistia ka të bëjë me legalizimin e pasurive, monetare apo jo monetare, në mënyrë vullnetare dhe që kanë qenë jashtë sistemit të taksave.
Çfarë përfiton direkt biznesi dhe çfarë përfiton direkt individi nga amnistia apo falja.
Ekzistojnë dy kategori biznesesh dhe individësh, ata që kanë paguar taksa dhe ata që nuk kanë paguar taksa ose nuk kanë paguar shumën e detyruar. Për kategorinë e parë kuptohet që përfitimi është direkt, pasi ata do të bëjnë të mundur që pasuritë që i mbajnë të ‘fshehura’ të futen në qarkullim dhe mos të ‘friken’ nga kontrollet tatimore. Ndërsa, për kategorinë e dytë, përfitimi do të jetë indirekt, pasi do të ketë më shumë likuiditet në treg, më shumë investime e një rritje më të lartë.
Sa mund të jetë norma e taksimit të amnistisë, dhe sa para mendohet të çlirohen nga kjo nismë?
Edhe pse quhet amnisti, eksperienca e vendeve të ndryshme na mëson që legalizimi i kapitalit, që nuk ka paguar taksa, kryhet duke paguar një tarifë ose gjobë. Sigurisht, që ajo duhet të jetë më e vogël se norma korrente e taksës, pasi këkon të nxisë bizneset dhe individët që të marrin pjesë në legalizim. Mesatarisht kjo normë është rreth 5 për qind e shumës që legalizohet. Unë do të thoja që edhe për rastin e Shqipërisë, kjo normë është e pranueshme. Ndërsa, se sa do të jetë efekti i amnistisë, është e vështirë ta vlerësosh. Megjithatë, duke u bazuar tek niveli i lartë i informalitetit që ka operuar biznese gjatë periudhës postkomuniste, efekti do jetë i konsiderueshëm për ekonominë tonë.
Çfarë përfiton një shqiptar i thjeshtë, i cili nuk ka para të “fshehura”, dhe a dekurajohen bizneset e ndershme nga kjo falje?
Shqiptari i thjeshtë gjendet përballë dy alternativave: alternativa e parë, të auditohet pasuria e çdo shqiptari dhe të zbatohet ligji i procedurave tatimore, dhe alternative e dytë, të falen të gjitha ata individ apo biznese që kanë në portofolin e tyre pasuri, që nuk kanë paguar taksa dhe të mbështesin reformat që dënojnë ashpër evazionin fiskal në të ardhmen. Alternativa e parë, e cila është me e drejta, është shumë e kushtueshme dhe e vështirë për t’u menaxhuar, madje përfitimi që rezulton, mund të jetë negativ. Alternativa e dytë, edhe pse pak më e drejtë, do të bëjë të mundur që gjobat që paguajnë personat që marrin pjesë në amnisti, të rrisin të ardhurat në buxhet dhe nga ana tjetër do rriten investimet në ekonomi. Kjo alternativë do të ndihmojë administratën tatimore që të jetë me efektive për kontrollet në të ardhmen dhe nga ana tjetër do shohin edhe një rritje të investimeve private në ekonomi. Amnistitë fiskale nuk duhet të jenë pjesë e programeve të qeverisë dhe ato duhet të zbatohen me premtimin që nuk do të ndërmerren në të ardhmen. Madje, ato duhet të shoqërohen me forcimin e administratës tatimore dhe ashpërsimin e luftës kundër evazionit fiskal. Kjo do të bënte që edhe biznesi i ndershëm ta mbështesë amnistinë.











