Hetohen fitimet e naftës “virgin”

Mar 17, 2011 | 10:55

Inspektori i Ministrisë së Ekonomisë, i përmendur nga Dritan Prifti në lidhje me kontrabandën e naftës, hedh poshtë faktin që Policia e Shtetit të ketë qenë në dijeni, apo të ketë toleruar lëvizjen e boteve të ngarkuara me naftën “virgin”.Muaj më parë, në emisionin “Ora e Intervistës”, ish-ministri i Ekonomisë deklaronte se kishte marrë një sms nga një inspektor në Fier, i cili kishte pretenduar se kishte ndaluar botet me naftë “virgin” dhe kishte njoftuar policinë, e cila pas mbërritjes në vendngjarje, ka lejuar lëvizjen e boteve. Prokuroria e Tiranës, gjatë pyetjes së Dritan Priftit, ka marrë mesazhin nga telefoni i tij dhe pasi ka identifikuar dërguesin, e ka marrë atë në pyetje. Sipas Prokurorisë, inspektori ka thënë se nuk dinte që policia të kishte qenë në vendin e ngjarjes, ndërsa ka shtuar se nuk ka asnjë gjë për të thënë në lidhje me mesazhin e pretenduar nga ish-ministri Prifti. Por, Prokuroria ka bërë edhe një verifikim tjetër, në policinë e Fierit dhe në postën e rajonin e policisë në Ballsh e Patos. Në këto dy institucione nuk është gjetur asnjë urdhër shërbimi apo dokument tjetër që policia të ketë qenë në vendin e pretenduar nga sms-të e Dritan Priftit. Sipas Prokurorisë, në policinë e Fierit, madje edhe më pas, nuk është gjetur ndonjë dokument, informacion apo ankim nga vartësit e Ministrisë së Ekonomisë në lidhje me kontrabandën e naftës “virgin”.

Hetim pasurive të biznesmenëve
Njësia Task Force pranë Prokurorisë së Tiranës, ka nisur zyrtarisht hetimet për pasurinë e vendosur nga bizneset “Euroil” dhe “Fisheku” sh.a, gjatë viteve kur është kryer kontrabanda e naftës. Sipas prokurorisë, ndaj biznesmenëve Hajri Elezi, pronar i “Euroil” dhe Ilias Fisheku, pronar i “Fisheku” sh.a, është ngritur edhe akuza e “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Është fjala për fitimet e ardhura nga vepra penale e futjes në treg të naftës së papërpunuar, që njihet me emrin nafta “virgin”. Fitimet kanë qenë të majme, pasi llogaritet se 17 mijë tonë naftë “virgin”, janë hedhur në tregun shqiptar duke u përzier një litër naftë e papastër me 2 kilogramë karburant të rregullt. Nga verifikimet paraprake që Prokuroria ka kryer tashmë, rezulton se kompania “Euroil” ka një kapital më të madh, ndërsa ka edhe tri kompani të tjera në të njëjtën pronësi. Sipas Prokurorisë, në mënyrë periodike fitimet e ardhura nga nafta virgine janë tërhequr nga bankat dhe janë kthyer në asete (prona). Prokuroria mësohet se i ka nisur kërkesë për informacion bankave të nivelit të dytë, tatimeve, zyrave të regjistrimit të pasurisë dhe institucioneve të tjera për të zbardhur të gjitha pronat që ekzistojnë në emër të pronarëve të kompanive “Euroil” dhe “Fisheku”.

Kompania e tretë, import të rregullt në Mal të Zi

TIRANE – Kompania e tretë e cila ka kryer qarkullimin e naftës virgine, “Euro Petrol”, sipas Prokurorisë nuk ka rezultuar e implikuar në hedhjen e karburantit të papastër në tregun shqiptar. Burime nga Prokuroria kanë pohuar se kompania “Euro Petrol” ka dërguar nga Shqipëria në Mal të Zi, nëpërmjet Bajzës, të paktën katër ngarkesa me naftë virgine. Sipas Prokurorisë, në përputhje me kuadrin ligjor, kjo kompani e ka marrë naftën virgine nga subjektet që furnizoheshin në Ballsh dhe më pas e ka eksportuar atë jashtë vendit, për qëllime përpunimi. Organi i akuzës ka pohuar se sasia e naftës virgine, që kompania “Euro Petrol” ka marrë në dorëzim në Ballsh, përputhet me sasinë e deklaruar në doganë prej saj, para kalimit në Mal të Zi. Nisur nga ky fakt, Prokuroria ka përjashtuar mundësinë që kjo kompani të ketë hedhur në tregun shqiptar në kundërshtim me ligjin sasi të naftës virgine. “Për këtë shkak kjo kompani është përjashtuar nga hetimi”, thanë burimet nga Prokuroria.

Kontrabanda e “virgin”, Financat: Ne vendosëm akcizë, rritëm të ardhurat

Masat e shtrënguara fiskale dhe të dhënat statistikore mbi taksimin e karburanteve kanë qenë dje dy argumentet, me të cilat Ministria e Financave i është përgjigjur akuzave të opozitës për çështjen e naftës “virgin”. Në një deklaratë për shtyp nga ana e kësaj ministrie, theksohet se kanë qenë pikërisht socialistët ata që kanë lejuar që në kohën e tyre të lulëzonte kontrabanda e naftës ‘virgin’. “Nga rreth 210 mijë tonë karburante që taksoheshin në vit në kohën e qeverisjes socialiste, në vitin 2010 sasia e karburanteve të taksuara është dyfishuar duke shkuar në rreth 480 mijë tonë në vit. Veç kësaj, edhe të ardhurat nga taksimi i karburanteve janë katërfishuar”, thuhet në deklaratën e Financave. Në detaje lidhur me naftën “virgin”, nga ana e ministrisë sqarohet se sasia e fundit e kapur në tregun shqiptar e kësaj nafte daton në shkurt të vitit 2009, kur u kapën edhe 18 mijë tonë naftë nga administrata tatimore. Po kështu, shtrëngimi i masave përmes taksimit më të lartë të kësaj nafte sipas Financave, është një tjetër tregues që dekurajon tregtimin e ‘virgin’ në vend. “Është vendosur akcizë prej 50 lekësh për litër, nga 0 lekë që ka qenë në kohën e socialistëve. Kjo do të thotë një akcizë 25 % më e lartë nga nafta e konsumit të zakonshëm. U ndalua tregtimi dhe përdorimi i naftës D2, nën të cilën maskohej tregtimi i naftës “virgin”. U vendosën pajisjet elektronike fiskale për raportimin e shitjeve me pakicë të karburanteve, si dhe po punohet për koncesionimin e ngjyrosjes së karburanteve. Të gjitha këto masa kanë ulur evazionin në tregun e karburanteve”, thuhet në deklaratën e Financave.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura