Maxhoranca në Konferencën e Kryetarëve është shprehur pro ngritjes së komisionit hetimor për Kuvendin, por duke i kërkuar opozitës që të ndryshojë disa nga pikat e kërkesës për ta bërë atë kushtetuese.Gazeta publikon sot pjesë nga procesverbali i mbledhjes së 15 marsit, ku është diskutuar kalendari trejavor i punimeve. Gjatë kësaj mbledhjeje, ka qenë kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili ka theksuar se shumica do ta pranojë hetimin, por që kërkesa të rregullohet. “Unë nuk mund të them se jam futur thellë në përmbajtjen e kësaj kërkese, por në një vështrim përciptazi, edhe për shkak të kohës së kufizuar, mund të them se ne parimisht jemi plotësisht dakord që të respektohen të gjitha nenet e Rregullores së Kuvendit dhe të ligjit ‘Për krijimin dhe organizimin e komisioneve hetimore të Kuvendit’, pra që seanca e së enjtes ta shqyrtojë këtë kërkesë, por paraprakisht më duhet të shpreh disa rezerva që vihen re në një vështrim të përciptë që unë i bëra kësaj kërkese”, është shprehur Patozi.
Përfaqësuesit e opozitës në Konferencën e Kryetarëve kanë mbrojtur nismën e tyre duke thënë se synimi nuk është thjesht kontrolli, por ndryshimi i funksionimit të Kuvendit. “Këtë kërkesë e kemi bërë bazuar në Kushtetutë dhe në ligj. Përsa u përket elementeve që bëjnë krahasimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit me komisionin hetimor, mund t’ju them se ne nuk jemi Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe as duam të bëhemi si ai, por duam të shqyrtojmë disa nga shqetësimet që kanë lindur për të përmirësuar punën e Kuvendit”, ka theksuar Namik Dokle, nënkryetari i Kuvendit nga PS-ja. Pas diskutimeve të para, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Patozi, ka ndërhyrë sërish duke thënë se kërkesa nuk përmban fakte dhe grup faktesh. “Kështu, siç e shoh unë, pa pasur asnjë provë, pa asnjë fakt dhe pa asnjë grup-fakt, ne ngremë një komision hetimor. Unë besoj se me këtë kërkesë mund të hetohet si në Parlamentin gjerman, si në Parlamentin francez, si në Parlamentin anglez, sepse nuk ka çështje. Ne nuk mund t’iu mbivendosemi institucioneve të tjera si Parlament”, tha Patozi. Nga ana e saj edhe Topalli e ka mbështetur nënkryetarin e PD-së, duke thënë se “unë bie dakord me zotin Patozi, i cili kërkon plotësimin e kritereve formale dhe juridike. Ju kërkoj që relacionit t’i shikonit disa gjëra që të bëni përputhjen me projektin”.
Ndërsa nënkryetari i Grupit socialist, Erion Braçe, ka theksuar se “qëllimi është shprehur fare qartë në relacion. Ne synojmë që t’i propozojmë këtij Kuvendi një reformë të thellë të mënyrës së buxhetimit, si dhe të financimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Sot në gjykimin tonë financohet thjesht dhe vetëm rroga e deputetit, sigurimet shoqërore të tij, sigurimet shëndetësore apo diçka më tepër”.
Rusmali: Nisma është antikushtetuese
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, është shprehur në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve se kërkesa e opozitës është antikushtetuese. “Kjo nismë jashtë kontekstit kushtetues nuk zhvillohet dot, sepse instrumenti garantues e ndalon një gjë të tillë, prandaj do t’i bëja thirrje këtu në Konferencë, por edhe në Parlament, që të verifikohet me rreptësi konturi kushtetues në të cilin zhvillohet kjo nismë. Unë kam dilema të mëdha për konturin kushtetues”.
Debati me dyer të mbylkura në Konferencën e Kryetarëve
Jozefina Topalli: Kërkesa është dorëzuar më 11.03.2011 dhe, megjithëse kanë qenë ditë pushimi, unë mendova t’i qëndrojmë ligjit “Për ngritjen e komisioneve hetimore”. Fillojmë që sot diskutimin e kësaj kërkese të depozituar. Nuk e di nëse të gjithë kanë pasur kohë ta lexojnë dhe cili është mendimi i tyre. Kush e dëshiron fjalën? Fjalën e ka zoti Patozi.
Astrit Patozi: Në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës, pra me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për ngritjen e një komisioni hetimor, unë nuk mund të them se jam futur thellë në përmbajtjen e kësaj kërkese, por në një vështrim përciptazi edhe për shkak të kohës së kufizuar, mund të them se ne parimisht jemi plotësisht dakord që të respektohen të gjitha nenet e Rregullores së Kuvendit dhe të ligjit “Për krijimin dhe organizimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, pra që seanca e së enjtes ta shqyrtojë këtë kërkesë, por paraprakisht më duhet të shpreh disa rezerva që vihen re në një vështrim të përciptë që unë i bëra kësaj kërkese. Kolegët nënshkrues të kësaj kërkese duhet të kishin parasysh aspektin formalo-juridik, sepse është evidente që ka disa probleme. Së pari, ka një mospërputhje shumë të qartë mes relacionit që shoqëron kërkesën dhe vetë vendimit të Kuvendit. Së dyti, ka një problem lidhur me përbërjen e anëtarëve të këtij komisioni hetimor përsa i përket palës së opozitës, pasi ka anëtarë që janë në konflikt interesi me objektin e këtij komisioni hetimor. Kjo gjë duhet të modifikohet përpara se të shkojmë në seancë. Do të ftoja Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste që këtë kërkesë për këtë komision hetimor, për të cilin ne jemi parimisht dakord, ta përshtaste në përputhje me Kushtetutën dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe me ligjet e tjera të vendit, që ne të mos kemi asnjë problematikë gjatë shqyrtimit të kësaj seancë, por ta miratojmë atë njëzëri. Po kështu, në përgjigje të kërkesave të ligjit “Për organizimin e komisioneve hetimore”, jemi të gatshëm që sot të paraqesim listën e anëtarëve të komisionit që do t’i përkasin maxhorancës, e cila, sigurisht, do të ketë shumicën në këtë komision. Unë nuk kam pasur kohë ta firmos, por mund t’i paraqes këtu në këtë Konferencë dhe i quajmë të miratuara.
Fatos Beja: Duke falënderuar kryetarin e Grupit për propozimin dhe unë e kuptoj pse, por aktualisht jam anëtar i një komisioni hetimor, kështu që nuk do të ishte oportune të merrja pjesë në një komision tjetër. Nëse mundet, le të zëvendësohem me dikë tjetër.
Jemin Gjana: Edhe nëse emri im nuk do të ishte, edhe pse është, do të desha t’i bashkëngjitem asaj që shtroi këtu zoti Patozi, sepse kështu siç është hartuar kjo kërkesë, i bie që të na lini të lirë për 2 vjet dhe të mos merremi me gjë tjetër. Mua më duhet të lë çdo punë tjetër, të mos merrem me asgjë dhe të merrem me atë komision. Nuk e di nëse do t’ia dal dot që bashkë me kolegët të mund të merrem me këto tani. Do të hetojmë ndonjë gjë konkrete? Nëse keni merak se janë shitur keq makinat, hajde të hetojmë. Të hetohet një çështje konkrete, por duhet të keni edhe ndonjë të dhënë, do të keni një dyshim paraprak për t’u vërtetuar një fakt ose disa grupe faktesh, por kështu siç janë shkruar gjërat, nuk e di si do të vendosim në seancë për ta miratuar. Domethënë është futur i gjithë stafi dhe kanë mbetur jashtë vetëm rojet e Kuvendit nëse ata lënë ose jo njerëz për të hyrë ose për të dalë nga Kuvendi sipas Rregullores dhe çdo gjë tjetër duhet të kalojë në një sitë në një komision që do të punoj dy muaj.
Namik Dokle: Së pari, unë vlerësoj faktin që kryetari i Grupit Parlamentar të maxhorancës parimisht është dakord për ngritjen e këtij komisioni. Për ndonjë nga meraket dhe rezervat që ka, mund të bisedohet me përfaqësuesin e grupit tonë, nëse mund të bëhet ndonjë korrigjim. Për merakun që ka zoti Gjana, nuk është problemi nëse thuhet atje për makinat: “Do të kontrollohen të gjitha makinat”. Kjo bëhet me sondim për ato gjëra që janë problematike, sepse në 100 gjëra që mund të ketë njëri nga problemet, dy janë problematike dhe 98 janë të zgjidhura. Synimi i këtij komisioni për ne nuk është thjesht të kontrollojmë, por një synim pak më tutje, ai bëhet për të ndryshuar disa gjëra në funksionimin e Kuvendit, si për shembull, nëse marrim çështjen e buxhetit, sot komisionet e Parlamentit tonë janë pa buxhet.
Erion Braçe: Zoti Gjana, unë doja të të sqaroja që në krye të herës që ky komision nuk ka karakter personal. Ai nuk i adresohet veprimtarisë së ndonjë prej deputetëve të Kuvendit dhe aq më tepër drejtuesve të Kuvendit. Qëllimi është shprehur fare qartë në relacion. Ne synojmë që t’i propozojmë këtij Kuvendi një reformë të thellë të mënyrës së buxhetimit, si edhe të financimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Sot, në gjykimin tonë financohet thjesht dhe vetëm rroga e deputetit, sigurimet shoqërore të tij, sigurimet shëndetësore apo diçka më tepër. Ne duam që këto para publike që jepen, jo vetëm të financojnë funksionet bazë të deputetit, të komisioneve, pastaj të gjithë institucionit, por njëherësh të jenë transparente për publikun, sepse për hir të së vërtetës ka shumë fjalë që i adresohen deputetëve si spekulantë, si njerëz që marrin para pa fund, që harxhojnë pa hesap paratë e publikut dhe ky nam ka rënë mbi secilin prej nesh.
Ardian Turku: Jam në një linjë me diskutantët e deritanishëm, pra që kjo kërkesë për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar është e drejtë. Ndoshta duhet të përshtatet më mirë me qëllimin që ka në thelb një komision hetimor për t’i shërbyer përmirësimit në punës.
Jemin Gjana: Unë e kam shumë seriozisht shqetësimin tim. Kam punuar gjatë nëpër komisione dhe në administratën shtetërore para dhe pas viteve ’90. A e dini se çfarë do të thotë të kontrollosh zbatimin e buxhetit për 7-8 vjet? Sigurisht që zbatimi i buxhetit do të kontrollohet. Unë nuk mund të them që të kontrollohet viti 2009 pa leje. Le të vendosim në objekt kontrollin e zbatimit të buxhetit të viteve 2005, 2006, 2007, 2008, 2009, 2010 dhe 2011, se viti 2010 ka të bëjë me vendimet që janë marrë për vitin 2011.
Namik Dokle: I vlerësoj të gjitha diskutimet e kolegëve. Zoti Gjana nuk ka pse të përsërisë fjalën “e kam seriozisht”, sepse ne e kuptojmë që e ka seriozisht dhe jo vetëm ai, por edhe ne e kemi po aq seriozisht, sepse këtë kërkesë e kemi bërë bazuar në Kushtetutë dhe në ligj. Përsa u përket elementeve që bëjnë krahasimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit me komisionin hetimor, mund t’ju them se ne nuk jemi Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe as nuk duam të bëhemi si ai, por duam të shqyrtojmë disa nga shqetësimet që kanë lindur për të përmirësuar punën e Kuvendit.
Astrit Patozi: Që në fillim të fjalës sime thashë që u bëj ftesë kolegëve të opozitës që ta përputhin kërkesën e tyre me Kushtetutën, me ligjet, me Rregulloren dhe me gjithçka tjetër. Tani që dëgjova shpjegimet e përfaqësuesve të opozitës e përforcoj mendimin tim dhe nuk gjej asnjë arsye, se për të bërë një reformë të brendshme në Kuvendin e Shqipërisë duhet të ngrihet patjetër një komision hetimor. Kështu siç e shoh unë, pa pasur asnjë provë, pa asnjë fakt dhe pa asnjë grup-fakt, ne ngremë një komision hetimor. Unë besoj se me këtë kërkesë mund të hetohet si në Parlamentin gjerman, si në Parlamentin francez, si në Parlamentin anglez, sepse nuk ka çështje. Ne nuk mund t’iu mbivendosemi institucioneve të tjera si Parlament. Ju flisni për atributet e Byrosë së Kuvendit, flisni që doni t’i ndryshoni. Bëjeni kërkesën e përputhshme, që të mos kemi asnjë minutë debat!
Erion Braçe: Ju na ndihmoni shumë nëse na thoni se cila nga këto pika të komisionit të hetimit është antikushtetuese. Unë mundohem të gjej ndonjë, por nuk mundem.
Ilir Rusmali – Zonja kryetare, tani mund të bëj diskutimin tim. Unë besoj se ky instrument është më garantues për opozitën. Jam plotësisht dakord me zotin Braçe, por unë di gjithashtu që ky instrument mund të zhvillohet vetëm në konturin e vet kushtetues, jo jashtë konturit kushtetues. Nuk ekziston mundësia as të merret nisma dhe as të miratohet ajo nga Kuvendi kur instrumenti është jashtë konturit kushtetues. Ky është kufizimi i madh që ka ky instrument garantues. Për sa kohë është ashtu dhe për sa kohë që kolegët e opozitës kanë pafundësisht zgjidhje alternative në dispozicion për të realizuar atë qëllim që kanë deklaruar këtu, unë do t’i kërkoja Konferencës së Kryetarëve, pse jo edhe Parlamentit, që të jetë shumë strikt në verifikimin e kontekstit kushtetues të kësaj nisme. Kjo nismë jashtë kontekstit kushtetues nuk zhvillohet dot, sepse instrumenti garantues e ndalon një gjë të tillë, prandaj do t’i bëja thirrje këtu në Konferencë, por edhe në Parlament, që të verifikohet me rreptësi konturi kushtetues në të cilin zhvillohet kjo nismë. Unë kam dilema të mëdha për konturin kushtetues.
Namik Dokle: Ky komision që kërkojmë as nuk merret me individë dhe as nuk prek pavarësinë e institucionit dhe është totalisht brenda Kushtetutës. Vendimin tuaj merreni si të doni. Ne do ta mbrojmë ngritjen e këtij komisioni me forcën e Kushtetutës dhe me të drejtën kushtetuese të opozitës për të ngritur komision. Doni të bëni edhe me këtë siç bëtë për komisionin tjetër tonin? Bëjeni, është e drejta juaj dhe e drejta jonë është të demaskojmë qëndrimet që nuk na lejojnë të zbatojmë instrumentet kushtetuese.
Jozefina Topalli: Besoj se nuk është rasti për të demaskuar askënd, sepse të gjithë janë të interesuar për të ecur përpara, për të mos bllokuar asgjë. Unë bie dakord me zotin Patozi, i cili kërkon plotësimin e kritereve formale dhe juridike. Ju kërkoj që relacionit t’i shikonit disa gjëra, që të bëni përputhjen me projektin. Pra, siç keni projektin, duhet të bëni dhe relacionin, se janë dy gjëra që nuk shkojnë. Shikoni nëse ka konflikt interesi midis anëtarëve!
Vangjel Tavo: Unë mendoj që ky komision hetimor nuk duhet të ketë afat më shumë se 2 muaj. Nëse kjo kërkesë bëhet për shoë mediatik e lojëra fjalësh dhe që nuk do të nxjerrin në fund asnjë konkluzion dhe asnjë produkt, unë që tani shpreh votën time kundër ngritjes së komisionit hetimor.
Namik Dokle: Ne kemi bërë kërkesë për debat me 5 ose 6 nga kryesuesit e këtyre institucioneve dhe po prapë, në bazë të atij neni, përcaktohet edhe koha, pak a shumë. Besoj se në çdo debat të drejtën e raportimit e ka përfaqësuesi i institucionit dhe mendoj që një orë të ketë opozita për diskutim dhe një orë maxhoranca. Ne do të na mjaftonte për çdo rast një orë diskutim.
Jozefina Topalli: Je i madh, Namik. Ti i përcakton kohën edhe maxhorancës.
Namik Dokle: Koha e maxhorancës është e vetëpërcaktuar, sepse keni 4 deputetë më shumë. Ja, do të merrni ca minuta më shumë dhe kaq. Kohën e grupit tjetër nuk e përcaktova, sepse e ka vetë grupi.











