Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela theksoi në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike se hetimet nga Policia Gjyqësore janë difektoze, dhe se përmirësimet në këtë aspekt duhet të jenë prioritet.
Në seancën dëgjimore për raportin vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2025, Çela u shpreh se ende nuk ka një zgjidhje optimale në mënyrën se si duhet të funksionojë hetimi në raportin mes Prokurorisë dhe Policisë.
Sipas tij, pavarësisht disa ndryshimeve, problematika vazhdon të mbetet “Thembra e Akilit” e procesit hetimor.
“Sa i përket ligjit për policinë gjyqësore, është çështje komplekse dhe biem dakord që ende nuk kemi zgjidhje optimale për mënyrën se si duhet të funksionojë hetimi në raportin Prokurori-Polici, që lidhet si me policinë gjyqësore edhe me seksionet në prokurori. Është bërë hap përpara në ligjin për policinë gjyqësore, që parashikon krijimin e një sektori të posaçëm për hetimin.
Por këto ndryshime nuk mendoj se janë implementuar në mënyrën se si ishin parashikuar në fillim. Ka vend për diskutim të gjerë se çfarë mund të përmirësohet dhe ndryshohet në këtë fushë. Kjo mbetet Thembra e Akilit në procesin e hetimit.
Me gjithë përpjekjet që janë bërë ende besoj se hetimi nga ana e policisë gjyqësore është difektoz. Përmirësimi i tij duhet të mbetet prioritet, gjetja e rrugëve se si të arrijmë në rritjen cilësore. E vlerësoj iniciativën tuaj dhe çdo propozim duhet të ishte mirëpritur dhe ne do të japim kontributin tonë.”, u shpreh ai.
© Panorama.al












