Votohet komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë e Kuvendit nga viti 2005.Maxhoranca dhe opozita votuan dje pro kërkesës së opozitës pa debat, por me disa vota kundër dhe abstenim. Në total 116 deputetë votuan pro ngritjes së komisionit, 1 deputet i PD-së votoi kundër, ndërsa 4 të tjerë e abstenuan. Tabela e votimit elektronik shënonte edhe 18 deputetë që nuk morën pjesë në votim, që ishin edhe këta nga maxhoranca. Mësohet se pro votuan edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe kreu i maxhorancës, Sali Berisha. Deputeti i vetëm që votoi kundër ishte Fatos Hoxha, i cili në një prononcim për gazetën “Panorama”, tha se PS-ja futi këtë kërkesë në rrugë jo të rregullt procedurale, ndërsa e cilësoi hetimin si antikushtetues. “Kam votuar kundër, sepse kërkesa e Partisë Socialiste nuk ka ndjekur rrugën procedurale. Së dyti, disa nga pikat e kërkesës për komisionin hetimor janë antikushtetuese dhe për të cilat është shprehur Gjykata Kushtetuese, jo më larg se viti 2007. Këto janë dy arsyet, përse unë votova kundër kërkesës për komisionin hetimor. Partia Socialiste gjatë gjithë kohës ka dalë jashtë sistemit dhe vazhdon të jetë jashtë sistemit, duke mos votuar asnjë ligj apo marrëveshje në Kuvend. PS-ja kërkon të futet në sistem me një sistem antikushtetuese”, tha Hoxha. Mes katër deputetëve që votuan abstenim, ishin edhe kryetari i Komisioni të Ligjeve, Ilir Rusmali si dhe ministri i Arsimit, Myqereem Tafaj. Vota abstenim e Rusmalit mendohet se ka të bëjë me kundërshtimin që ai i bëri kësaj kërkesë, në mbledhjen e konferencës së kryetarëve pak ditë më parë. Ndonëse PD-ja kishte vendosur që të bënte disa ndryshime teknike në kërkesën e PS-së, ajo u votuan pa asnjë ndryshim teknik siç është depozituar nga opozita. Për më tepër, për këtë kërkesë nuk u bë debat, por u votua menjëherë. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votimin e projektligjeve të tjera në axhendë, ndonëse ata debatuan për to. Projektligjet u miratuan nga 71 deputetët e maxhorancës të pranishëm në sallë, ndërsa mungonin ministri Lulzim Basha dhe deputeti i LSI-së, Lefter Koka. Sipas vendimit, komisioni do të ketë 11 anëtarë gjithsej. Në mbledhjen e parë të komisionit pritet që kryetar i tij të shpallet deputeti Erjon Braçe. Sipas ligjit, shumica e anëtarëve i përket PD-së dhe do të përfaqësohet në komision nga Jemin Gjana, Edmond Spaho, Arenca Trashani, Fatos Beja, Edi Paloka e Paulina Hoti, ndërsa nga PS-ja, krahas Erjon Braçes, do të jenë edhe Ilir Beqja, Arben Isaraj, Damian Gjiknuri e Ermonela Felaj. Me anë të këtij komisioni hetimor, i cili pritet të ketë një veprimtari prej 3 muajsh, do të hetohet vendimmarrja e Kuvendit që nga shërbimi për deputetët e deri tek votimi në seancat plenare.
Opozita nuk merr pjesë në votim
Deputetët e PS-së nuk morën pjesë në votimin e projektligjeve të tjera, përveç ngritjes së komisionit hetimor parlamentar. Deputetët e opozitës debatuan për disa orë me deputetët e maxhorancës për projektligjet, por shënuan vetëm prezencë në sallë. Ata qëndruan deri në fund të seancës nga ku morën pjesë edhe në debatin e lirë prej 60 minutash, ku lëshuan akuza për kreun e KQZ-së si dhe për kryeministrin Berisha, për kontrabandën e naftës që po hetohet nga Prokuroria.
Objekti i hetimit të komisionit
Hetimin e veprimtarisë së administratës së shërbimeve të Kuvendit
Hetimin e byrosë së administratës së Kuvendit në lidhje me përcaktimin e strukturës dhe organikës së administratës ndihmëse të Kuvendit dhe zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil
Hetimin e procedurave të vlerësimit dhe tjetërsimit të mjeteve të transportit në pronësi të Kuvendit dhe pasojat financiare që ato kanë sjellë në buxhetin e shtetit
Hetimin e funksionimit të stafit ndihmës të Kuvendit, puna që ata kryejnë dhe shpërndarja e punës në komisione
Hetimin e integritetit dhe eficencës së sistemit të votimit elektronik të Kuvendit
Propozimi i ndryshimeve të nevojshme legjislative dhe organizative, me qëllim korrigjimin e mangësive të konstatuara, duke synuar mirëfunksionimin e Kuvendit dhe shërbimeve të tij
Votimi
Pro komisionit hetimor: 116 vota
Kundër: 1 votë, Fatos Hoxha PD
Abstenim: 4 vota, Ilir Rusmali,
Myqerem Tafaj, PD
Nuk morën pjesë në votim: 18 deputetë të PD
ERALD KAPRI
© Panorama.al











