Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, komentoi në “Log.” vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se çështja përmban elementë të rëndë korrupsioni dhe shkelje të barazisë në tendera.
Sipas tij, nuk kemi të bëjmë vetëm me një “vjedhje me mashtrim”, por me një skemë të gjerë vendimmarrjeje të paligjshme dhe favorizimesh në projekte të mëdha publike. Gjoni përmendi mungesën e dy urave në tunelin e Llogarasë dhe mënyrën e shpërndarjes së dividendit për kompaninë turke, duke i cilësuar si shenja të qarta shkeljesh.
Deputeti u ndal edhe te fakti që ministria e drejtuar nga Balluku administron rreth 60% të buxhetit të shtetit, çka sipas tij krijon terren për abuzime dhe tregon se hetimet pritet të shtrihen edhe në sektorë të tjerë, përfshirë rrugët, termocentralet dhe licencat për parqe energjetike.
Gjin Gjoni: Në rastin konkret kemi elementë të korrupsionit. Mungesa e dy urave në tunelin e Llogarasë dhe mënyra e dhënies së dividendit kompanisë turke tregojnë qartë shkelje.
Rreth 60% e buxhetit të shtetit kalon përmes ministrisë që ajo drejton. Kjo do të thotë se llokma e menaxhimit të parave të shqiptarëve i është lënë një personi të vetëm. Përfshirja në rrugë, në termocentrale, në çështjen e licencave për parqe eolike dhe fotovoltaike tregon se hetimet do shtrihen shumë më tej.
Në shumë prej rrugëve të ndërtuara apo të kontraktuara janë futur para të pista. Kjo është arsyeja pse ne u kemi kërkuar gjithë kryetarëve të bashkive të raportojnë në detaj mbi tokat e dhëna për leje të kësaj natyre.
© Panorama.al












