
Dasma e së dielës në një lokal në Novoselë helmon të ftuarit. Rreth 23 dasmorë kanë përfunduar në spitalin e Vlorës me probleme, pesë prej të cilëve deri dje ndodheshin ende të shtruar.Ata mësohet se kanë qenë në dasmë në një lokal në Novoselë të Vlorës dhe disa orë pas drekës së festimit të martesës së çiftit janë shpërndarë nëpër shtëpi. Vetëm të hënën janë shfaqur shenjat e para të helmimit, që dyshohet të ketë ardhur nga ushqimi. Rastet e së hënës kanë qenë të pakta dhe vetëm të martën u shënua një fluks në spitalin e qytetit të Vlorës. Pjesa më e madhe e personave me probleme ishin nga fshati Aliban. Sipas drejtorit të spitalit të Vlorës, Besnik Elezi, të martën u paraqitën gjashtë të rritur dhe dy fëmijë me probleme gastrointestinale. Ndonëse gjendja e tyre nuk ka qenë e rëndë, stafi i spitalit i ka vënë ata nën mjekim intensiv për të ndalur të vjellat dhe diarrenë, shenja të një helmimi të mundshëm. Nisur nga shtimi i rasteve, Drejtoria e Spitalit vuri në dijeni Drejtorinë e Shëndetit Publik.
Të mërkurën, të tjerë persona, anëtarë të familjeve të ndryshme, u paraqitën në spital me të njëjtat simptoma dhe që kishin qenë pjesëmarrës në të njëjtën dasmë. Nga ana e DSHP-së u angazhuan ekspertë të Shërbimit të Higjienës dhe të Epidemiologjisë, të cilët shkuan në zonën ku ndodhej lokali ku ishte zhvilluar festa për të kryer verifikimet e nevojshme. Nisur nga dëshmitë e dasmorëve se problemet u ishin shfaqur pas ushqimit të konsumuar në këtë lokal, është urdhëruar mbyllja e tij deri në përfundim të analizave si dhe është vendosur gjobë për mosplotësim të kushteve të higjienës. Epidemiologu Agron Bashllari pohoi dje se të dhënat mbi pacientët e shtruar në spitalin e Vlorës tregojnë për një problem të lindur nga ushqimet e konsumuara në dasmë, ku hyjnë mishi, sallatat dhe ëmbëlsira. Temperaturat e larta të stinës dhe mungesa e kushteve higjieno-sanitare mendohet të kenë ndikuar te konsumatorët. Megjithatë, sipas Bashllarit, rezultati i analizave do të saktësojë dhe origjinën e helmimit të 23 dasmorëve. Nga ana e drejtorit të spitalit të Vlorës, ky rast nuk konsiderohet si epidemi, pasi pasojat kanë qenë të lehta dhe të kapërcyeshme nga pacientët, të cilët, pasi janë trajtuar me barna e serume, kanë lënë spitalin njëri pas tjetrit. Veç pacientëve të spitalit të Vlorës nuk përjashtohet dhe fakti që të tjerë dasmorë nga zona të tjera të vendit të jenë paraqitur nëpër urgjencat e qyteteve ku jetojnë.
Në dasmë, 140 persona
Rreth 140 persona mësohet të kenë qenë pjesëmarrës në dasmën e zhvilluar në Novoselë të Vlorës. 23 prej të cilëve u paraqitën në spitalin e qytetit të Vlorës me shenja të helmimit. Nga ky numër, 12 u shtruan në spital për t’u trajtuar intensivisht nga ana e mjekëve të Vlorës, ndërkohë që mendohet se dasmorët nga rrethet e tjera të kenë kërkuar ndihmë në urgjencat e spitaleve të qyteteve nga janë.
Si u helmuan dasmorët në Shkodër
Rreth një muaj më parë, 32 persona përfunduan në spitalin e Shkodrës, pasi ishin helmuar nga ushqimet e një dasme në lagjen “Liria” të qytetit. Ndonëse dasma ishte zhvilluar më parë, vetëm pas 3 ditësh të sëmurët u paraqitën në spitalin e Shkodrës. Në këtë rast u pohua se dasmorët i kishin marrë me vete ushqimet e mbetura në festë për t’i konsumuar dhe ditët në vazhdim. Për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve johigjienike, dhjetëra persona u prekën nga problemet gastrointestinale, duke u përmirësuar vetëm pas ndërhyrjes mjekësore.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











