Helmimi nga ushqimi i Sori-Al, policia: 60 kursantë të Akademisë së Sigurisë u paraqitën në spital! Nis hetimi, AKU ka marrë mostrat

Jun 25, 2026 | 10:52

Policia e Tiranës sqaron se rreth 60 kursantë në Akademinë e Sigurisë kanë marrë ndihmë mjekësore pasi kanë shfaqur simptoma helmimi, si temperaturë dhe diarre.

akademia sigurise

Në njoftim sqarohet se gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, 31 kursantë janë dërguar në Repartin Infektiv të QSUT-së, ku kanë marrë trajtim mjekësor dhe më pas janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm edhe 29 kursantë të tjerë janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë dhe janë dërguar për ekzaminim në Repartin Infektiv të QSUT-së.

Për rastin është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryen verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Ndërkohë, AKU ka marrë mostra nga ushqimet e konsumuara nga kursantët, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike.

Gazetarja Xhensila Kodra raportoi më herët se institucioni i Akademisë së Sigurisë furnizohet me ushqim nga kompania e kateringut Sori Al.

Tiranë/Informacion paraprak

Në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.

Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

© Panorama.al

Te lidhura