Pas shkarkimit të parakohshëm të trajnerit të Bajernit, Luis van Gal, krerët bavarezë duket se kanë vendosur për pasuesin e holandezit. Nga burimet e së përditshmes gjermane “Bild”, bëhet e ditur se kanë përfunduar “transaksionet” e trajnerëve. Duke qenë se tekniku Jup Hejnkes nuk ka rinovuar me Leverkusenin, firma e tij pritet të hidhet nesër (sot) në kontratën me Bajernin e Mynihut. “Mungon vetëm firma e Jup Hejnkes. Së bashku do vendosim mbi kontratën ditën e hënë”,- nënvizoi presidenti i Bajernit, Uli Hënes, ndërsa 65-vjeçari gjerman, Hejnkes shton pas fitores 2-0 kundër Shalkes. “Do takohemi nesër (sot) pas trajnimeve. Aty do ta merrni vesh të vërtetën”,- tha Hejnkes, transferimi i të cilit në fund të sezonit është bërë fakt i kryer nga mediat. Jup Hejnkes do të jetë trajneri i parë tek Bajerni, që merr një mandat të tretë tek rekordmenët gjermanë (1987-1991, 2008-2009, 2011-…) Edhe pse trajneri Robin Dut ka një kontratë deri në 2012 me Fraiburgun, mendohet se ajo do të prishet në fund të sezonit, pasi ai do të emërohet trajner i Bajern Leverkusenit. Ndërsa vendin e tij tek Fraiburgu pritet ta zërë Folker Finke.











