Hasi: Ja pse nuk u bëra trajner i Shqipërisë

Nov 10, 2011 | 9:45
Besnik Hasi

Besnik Hasi i ka dhënë fund heshtjes dhe ka sqaruar situatën e krijuar së fundmi në futbollin shqiptar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori kuqezi tregon arsyet pse refuzoi të merrte drejtimin e Kombëtares shqiptare dhe problemet që pati te klubi i Anderlehtit. 40-vjeçari pohon se i janë plotësuar të gjitha kushtet, por në fund e ndjeu për detyrë morale që të mos e tradhtonte Anderlehtin, klub që investon prej 10 vitesh te kosovari. “Në fillim presidenti Duka më ofroi një kontratë dy-vjeçare, por unë e kërkova për 4 vjet, pasi duke e njohur gjendjen aktuale të ekipit kombëtar dhe duke menduar një projekt afatgjatë për të ndërtuar një skuadër kompetitive më duhej koha e mjaftueshme për ta realizuar këtë projekt. Dihet tashmë se Kombëtarja është në proces rinovimi për shkak të mbylljes së ciklit për një pjesë të mirë të lojtarëve, prandaj kërkova kontratë 4-vjeçare. Ana financiare nuk ka qenë fare problem, madje ka qenë problem më i vogël në bisedimet e mia me Presidentin e Federatës. Problemi ka qenë pozita ime në klubin e Anderlehtit. Bisedova me menaxherin kryesor të Anderlehtit, i cili nuk u tregua fare entuziast, por më tha se do të fliste me Presidentin e klubit. I kam shprehur menaxherit se ishte shansi i jetës sime të drejtoja Kombëtaren e vendit tim sepse në fakt kjo ishte e vërteta. Isha i përfshirë emocionalisht në këtë histori, por më pas erdhi një JO kategorike nga Presidenti i Anderlehtit, i cili më kushtëzoi nga ana morale. Më tha se klubi kishte 10 vjet që investonte për mua”, është shprehur Hasi.

Pergjigjja e Kostner
Lorenc Gunter Këstner duket se është sfumuar si mundësi për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare. Zyrtarisht FSHF bën të ditur se ai e shkeli afatin e përgjigjes, (pritej që të sqaronte gjithçka dje), ndërsa burime jozyrtare, bënë të ditur për gazetën se përgjigja e tij ka qenë negative. Momentalisht ka pak shanse që ai të marrë drejtimin e skuadrës tonë. Federata mësohet t’i ketë ofruar një kontratë mujore prej 15 mijë eurosh në muaj dhe një kontratë dy-vjeçare. Në këtë pikë bisedimet kanë shkuar mirë dhe gjermani ka qenë i mirëkuptueshëm. Ai ka shfaqur hezitim vetëm kur i është kërkuar që të qëndrojë gjatë në Shqipëri.

 

© Panorama.al

Te lidhura