Çështja e Shën Naumit vjen edhe një herë në optikën e studiuesve. Pasi përfundoi studimet e shkollës masteriale, duke mbrojtur tezën e saj për modifikimin e njëanshëm dhe vullnetar të kufijve të Shqipërisë në pjesën e Shën Naumit, duke përfshirë dhe zbulimin, krahasimin dhe stabilizimin e tekstit të marrëveshjes midis dy kryeministrave pa pushtet, Zog e Pashiq; Monika Shoshori Stafa ka kryer një studim tjetër me karakter gjithashtu monografik. “Monarkia kundër Republikës – Si u shit Shën Naumi”, botimi më i fundit i shtëpisë botuese “Naimi”. Bëhet fjalë për historinë e sistemit politik në Shqipëri, një histori nga më të komplikuarat dhe të padeshifrueshmet, që përmban brenda një shekulli mbretërinë e pashpallur, principatën e trashëgueshme, pashallëqet dhe republikat paradoksale autonome brendashqiptare, republikën e pashpallur me një kryesi kolektive shteti (katër çerek-mbretër), republikën e shpallur, mbretërinë e shpallur, rikthimin në nënshtet (protektorat), regjencën, republikën ateiste të komunistëve, republikën e parë parlamentare, republikën e dytë parlamentare. Të gjitha këto, të ndërprera prej dhjetëra episodesh e vegimesh monarkike të kohëpaskohshme deri në vitet e fundme. Kjo monografi me karakter sintetik, mbështetur në të dhëna të fshehura a të mënjanuara të historiografisë shqiptare, si dhe në anketimin e mendimit shkencor aktual, përfshihet në këtë libër, ku botohet për herë të parë, duke shtruar e zgjidhur shumë pikëpyetje pikërisht në pragun e 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar.











