Hana: Monitorim çmimeve të shërbimit shëndetësor

Feb 26, 2011 | 10:48

Kjo do jetë një nga masat konkrete që do të marrë Insituti i Sigurimeve Shëndetësore, i cili tashmë ka një emërtim të ri. Ai quhet “fondi i shëndetit”. Ky përcaktim i ri krijon hapësira më të mëdha për Fondin në financimin e të gjithë llojeve të shërbimeve dhe në të njëjtën kohë mundëson ndërtimin e raporteve më korrekte me ofruesit e shërbimeve për plotësimin e nevojave të tyre, si edhe për ofrimin e shërbimeve, tashmë edhe mbi kritere më të qarta profesionale.”, tha drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana, gjatë një konference për shtyp një ditë pas miratimit të ligjit të ri për sigurimet shëndetësore në parlament. Sipas saj, me ligjin e ri fondit i jepet fleksibilitet dhe në hartimin e listës së barnave te rimbursueshme e cila është një çështje sa ekonomike për vetë skemën, po aq dhe sociale për përfituesit. “Kjo e obligon skemën që, duke hulumtuar dhe nga vendet me skema të ngjashme me ne, të bëjë te mundur që çmimet e barnave në listat që do të hartohen, të jenë të krahasueshme me vendet e rajonit.”,tha Hana.  Miratimi i ligjit për sigurimet shëndetësore, do t’i japë të drejtën Institutit te Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, që të bëjë blerjen e paketave të shërbimeve që do të vihen në dispozicion të pacientëve, te ofruara këto si në institucionet publike dhe ato private. Drejtoresha e ISKSH-së thotë se do të duhen rreth 2 vjet kohë që ligji të zbatohet, ashtu si duhet në të gjitha hallkat e tij. “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, mund të fillojë blerja e shërbimeve në privat, por paraprakisht ne do të koncentrohemi në fuqizimin e sektorit publik, i cili tashmë ka hyrë në një fazë të re, në një treg shëndetësor, është duke përfunduar faza e kostove të shërbimit në të gjithë spitalet tona. Do të kostifikohet paketa e shërbimeve të parësorit, dhe brenda këtij viti këto procese mbarojnë”, tha Hana. Implementimi i këtij ligji do të bëjë të mundur krijimin e një tregu real shëndetësor në vend, të bazuar në cilësi, kosto dhe efektivitet. Para procedimit të kontraktimit, do të ketë një proces të rreptë monitorimi për çmimet e shërbimeve, që do te blihen nga ISKSH, duke përfshirë këtu edhe barnat. Ajo shtoi se implementimi i këtij ligji do të bëjë të mundur krijimin e një tregu real shëndetësor të bazuar më shumë në konkurrencë, në cilësi dhe kosto-efektivitet. Shërbimi shëndetësor do të ofrohet duke u mbështetur në një paketë bazë të shërbimeve, të cilat do të mbulohen nga shteti dhe mbi të do të lejohen sigurimet suplementare e private. Ligji i ri parashikon mbulimin universal të popullsisë prej skemës së detyrueshme të sigurimeve shëndetësore. Po kështu edhe përfshirje të sektorit privat në ofrimin e shërbimeve. Nëse një shtetas shqiptar është jashtë kësaj skeme, ai nuk do të përfitojë asnjë lloj trajtimi mjekësor, me përjashtim të rasteve që u përkasin urgjencave.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura