Hakmarrja, ekzekutohet 20-vjeçari

Mar 30, 2011 | 11:07
Policia në vendin ku u vra 20-vjeçari

Ekzekutohet me pesë plumba pistolete 20-vjeçari nga qyteti i Durrësit. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:30, në Lagjen Nr. 4 të këtij qyteti, pranë vendit të quajtur “Qendra tregtare”.Viktima, Arbër Bardhi, ndodhej në një lokal të kësaj lagjeje me shokët e tij kur persona ende të paidentifikuar e kanë thirrur atë në linjë telefonike. Sipas dëshmisë së dhënë në polici nga shokët e viktimës, ai ka pasur një telefonatë, e cila e ka udhëzuar atë që të dilte prapa qendrës tregtare, nga ku më pas është qëlluar. “Arbër Bardhi është qëlluar për vdekje me pesë plumba radhazi të dala nga një pistolete TT, nga një distancë prej 2.5 metrash, nga persona të paidentifikuar, të cilët, të ndihmuar nga errësira dhe koha me shi, janë larguar nga vendi i ngjarjes”, bënë të ditur burime nga grupi i hetimit.
Të njëjtat burime bënë të ditur se 20-vjeçari kishte shkuar t’i takonte personat vetëm pak metra larg lokalit ku ai ndodhej me shoqërinë e tij. Ai u gjet i pajetë në një cep pallati të kësaj lagjeje. Banorët e pallatit ku ndodhi ngjarja janë alarmuar nga të shtënat e armës. Ata kanë dalë menjëherë në oborr dhe në cep të saj kanë gjetur të riun. Më kot janë munduar t’i japin ndihmën e parë pasi ai kishte gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë, bazuar edhe në ekspertizën dhe këqyrjen e kufomës në morgun e spitalit, 20-vjeçari kishte marrë pesë plumba në trup. Banorët e pallatit dhe klientët e lokalit ku ndodhej viktima sinjalizuan menjëherë pas ngjarjes policinë. Kjo e fundit mbërriti në vend dhe nisi hetimet, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk kishte asnjë të arrestuar si autor të vrasjes. Në Komisariatin e Durrësit u shoqëruan djemtë me të cilët kishte qenë i shoqëruar viktima para se të vritej, si dhe banorë të shumtë të pallatit. Ata u pyetën nëse kishin parë ndonjë lëvizje të dyshimtë para ngjarjes.
Policia e Durrësit nuk bëri të ditur mbrëmë detaje të hetimit duke qenë se ngjarja kishte ndodhur në orët e vona dhe ekspertët e saj kanë kryer veprime në vendin e ngjarjes për disa orë. Por, paraprakisht dyshohet se ngjarja ka motiv hakmarrjen. “Pista kryesore ku po hetohet është ajo e hakmarrjes, pasi babai i viktimës është autor i një vrasjeje të trefishtë në Durrës”, bëri të ditur policia. Në vendin e ngjarjes, bashkë me ekspertë të hetimit, ishte mbrëmë edhe kreu i Policisë së Durrësit, Aleks Hajdari. Blutë kanë bërë rrethimin e të gjithë zonës, ndërsa vunë postblloqe në pikat hyrëse e dalëse të Durrësit, me qëllim që autorët të mos kishin mundësi të dilnin nga zona.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura