Çështja “Gvozdenoviç” vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Edhe dje, trajneri Misho Krstiçeviç nuk e ka pranuar lojtarin në stërvitje. Nuk dihet se sa do të zgjasë ky “inat” i kroatit, dhe as nëse mbrojtësi do të jetë në planet e tij për ndeshjen e së dielës kundër Shkumbinit. Para fillimit të seancës së djeshme, lojtari pasi ka dalë nga dhomat e zhveshjes është afruar pranë grupit, mirëpo pas një bisede ndërmjet Mishos, shefit të klubit Dimraj dhe vetë “të akuzuarit”, trajneri ka vendosur ta përjashtojë atë. Kështu që Gvozdenoviç është kthyer andej nga erdhi, duke u stërvitur veçmas nën udhëzimet e përgatitësit atletik, Rauf Dimraj. Duket se ajo përplasje e para tri ditëve po shoqërohet me pasoja të rënda për lojtarin. Kujtojmë këtu që Gvozdenoviç është padyshim një nga pikat më të forta të mbrojtjes së Tiranës. Mungesa e këtij të fundit u ndje së tepërmi në kupë, pasi krahu i majtë i defensivës ishte mjaft i lëkundur. Ne kontaktuan me shefin e klubit për këtë çështje, por ai nuk deshi të jepte detaje. “Nuk e di si do shkojë kjo situatë, por meqenëse trajneri nuk e pranoi lojtarin në stërvitje sot, atëherë unë po e përgatis veçmas. Ivani është një element i vyer, që i nevojitet pa masë kësaj Tirane”, tha Dimraj.
Superiore/ Java 25
Të shtunën
Elbasani-Bylis
Të dielën
Flamurtari-Besa
Skënderbeu-Teuta
Vllaznia-Kastrioti
Tirana-Shkumbini
Laçi-Dinamo











