“Lojtarët e mi kanë rrezikuar karrierën sportive në Ballsh”. Kështu është shprehur një ditë më pas, trajneri i Flamurtarit Gugash Magani, tejet i irrituar me mënyrën sesi ekipi i tij u prit në Ballsh në ndeshjen me Bylisin. “Po të kisha qenë lojtar, do ia kisha ngrënë të dy veshët atij maskarai. Nëse ajo ndërhyrje nuk ishte për karton të kuq, atëherë më thoni se kur duhet të akordohet ndëshkimi maksimal. Por, ky futbollist që nuk di sepse quhet i tillë, duhet të ishte larguar që në pjesën e parë nga loja. Si Lena, edhe lojtarët e tjerë të Flamurtarit, kanë rrezikuar seriozisht karrierën e tyre sportive e në një farë mënyre punën me të cilën mbajnë familjet e tyre dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh ndaj nesh në një fushë të tillë, pasi ky ekip vetëm ashtu mund të fitojë”, ka pohuar trajneri Gugash Magani. Më tej, tekniku i vlonjatëve nuk lë pas së thumbuari jo vetëm protagonistin negativ të ndeshjes së Ballshit, kapitenin Amarildo Dimo, por edhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. “Megjithatë, për Flamurtarin, pavarësisht reklamimit tonë, nuk mund të gjendet e drejta, pasi Federata tashmë është kthyer njësoj si në një adoleshent që nuk dëgjon këshillat e prindërit”, ka përfunduar trajneri Gugash Magani.
Dimo
Pa u shuar ende atmosfera e takimit Bylis-Flamurtari, kapiteni i ballshiotëve, Amarildo Dimo, ka bërë “mea culpa” për lojën e tij tejet të ashpër ndaj vlonjatëve. “Në ndeshjen e së dielës ndaj Flamurtarit më kanë quajtur “kasap”. Unë nuk e konsideroj veten të tillë, sepse në të shumtën e ndeshjeve të zhvilluara kam qenë pre i ndërhyrjeve të forta e të qëllimshme nga ana e kundërshtarëve. Ndaj Flamurtarit luajta ashpër dhe kjo ndoshta ka ardhur nga ngarkesa psikologjike që kishte kjo ndeshje, ku skuadra jonë ishte e detyruar të luante gjithçka për gjithçka”, ka pohuar lojtari.











