Grupi i PS vendos të hënën qëndrimin për Parlamentin

Sep 2, 2011 | 10:27

Deputetët socialistë do të vendosin në mbledhjen e tyre para nisjes së seancës së parë të sesionit të ri parlamentar qëndrimin zyrtar të tyre. Të hënën në mesditë, do të mblidhet grupi parlamentar socialist për të diskutuar dhe vendosur unanimisht qëndrimin dhe sjelljen e tyre të re në Parlament. Opozitë e fortë, kontroll qeverisë përmes interpelancave, por dhe propozime alternative të projektligjeve pritet të jenë disa nga veprimet opozitare në Kuvend të deputetëve socialistë, duke filluar nga dita e hënë. Pritet që të ketë një artikulim të qëndrimit në seancë nga ana e kryetarit të Grupit parlamentar, Ruçi, i cili do të bëjë publik dhe të ardhmen e opozitës në Kuvend, angazhimet dhe kërkesat e saj. Ditët e fundit, kreu socialist ka zhvilluar takime me grupe deputetësh, por dhe tre kryetarët dhe katër nënkryetarët e komisioneve parlamentare. Më parë, Rama u kishte kërkuar atyre të kontrollonin veprimtarinë e mëparshme të komisioneve të tyre, për të parë në këtë mënyrë se çfarë është bërë mirë dhe keq dhe për të ndërtuar strategjinë e tyre të ardhshme. Në bazë të punës së opozitës në Parlament do të jenë interpelancat me Kryeministrin dhe ministrat, për të bërë në këtë mënyrë edhe para publikut një kontroll të të gjithë veprimtarisë së ministrive të qeverisë Berisha. Por, një nga objektivat e opozitës në Parlament do të jetë dhe ndryshimi i rregullores së Parlamentit, ku socialistët kërkojnë dhe pjesëmarrjen e tyre në diskutimin e saj.

© Panorama.al

Te lidhura