“Grupi i PD duhet të marrë një kthesë…”- Berisha: U emërua një Avokat Populli që ditën paraqitej si opozitë, natën flirtonte me Ramën

Dec 15, 2025 | 14:29

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka një rëndësi të veçantë, pasi sipas tij shënon një kthesë historike në qëndrimin dhe veprimin e opozitës përballë asaj që ai e cilëson si “narkoregjimi”.

Berisha grupi i demokrateve

Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka provuar zero tolerancë ndaj parimit të balancës dhe kontrollit të pushteteve, duke treguar se është i gatshëm të përmbysë çdo standard institucional për të ruajtur edhe një përqindje minimale pushteti.

Berisha përmendi si shembull procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, për të cilin tha se u mbajt peng dhe më pas u “grabiti” përmes emërimit të një figure të afërt me qeverinë.

Berisha: Kjo mbledhje grupi është e një rëndësie shumë të veçantë pasi kjo mbledhje shënon do të thosha kthesën historike që duhet të marrë grupi parlamentar i PD në përballje me narkoregjimin.

Zhvillimet e ditëve të fundit faktojnë në mënyrë përfundimtare se është vetëmashtrim të mendosh se në një bashkëpunim minimal mund të realizohen qëllime që i shërbejnë shoqërisë shqiptare.

Çfarë ndodhi?! Edi Rama faktoi dhe provoi zero tolerancën e tij ndaj balancës dhe kontrollit të pushteteve. Edi Rama faktoi dhe provoi se ai është i aftë të përmbysë gjithçka qoftë edhe për një përqindje minimale pushteti që duhet të ndante sic është rasti i Avokatit të Popullit. Rama e mbajti peng dhe më pas e grabiti duke emëruar njeriun e tij. Emëroi një kryetar partie që ditën paraqitej si opozitë dhe natën flirtonte me të.

© Panorama.al

Te lidhura