Me qindra tifozë të tërbuar kërkonin të nxirrnin inatin e humbjes te lojtarët e tyre, duke menduar t’i godisnin. Kjo ka ndodhur të shtunën pas ndeshjes Aris-Iraklis, që përfundoi 0-1. “Kemi kaluar disa orë tmerri. Në këtë ndeshje pësuam një humbje të papritur dhe tifozët u acaruan jashtëzakonisht. Situata kritike që po kalojmë, bëri që ata të mos mbanin më. Madje, këtë herë arritën deri në atë pikë, saqë kërkuan të futeshin me dhunë në dhomat e zhveshjes për të na goditur ne si lojtarë. Gjithçka ka ndodhur kur u mbyll ndeshja. Ne nuk është se bëmë një lojë të keqe, por humbëm shumë raste dhe ishim të pafat. Në minutat e fundit të sfidës, Iraklisi shënoi dhe mori fitoren. Kjo ishte një katastrofë për të gjithë. Sapo gjyqtari sinjalizoi përfundimin e takimit, jemi larguar menjëherë drejt dhomave të zhveshjes. Në këtë moment, tifozët u acaruan jashtë mase dhe filluan të futeshin në fushë. Asnjë nga lojtarët nuk u godit, por situata më e çuditshme ishte në dhoma. Aty kemi qëndruar deri në orën 12 të natës”, ka sqaruar Vangjeli. Mbrojtësi kuqezi luajti 90 minuta në këtë sfidë, ndërkohë që luan prej 10 vjetësh te Arisi. I kontaktuar nga “Panorama”, futbollisti ka pohuar se nuk e kishte parë kurrë një skenë të tillë dhe tashmë ndihet i frikësuar, si gjithë kolegët e tjerë për ndeshjet e tjera që do luajë skuadra e tij këtë sezon.
Shqipëria zbret 7 vende në renditjen e FIFA-s
Shqipëria ka zbritur 7 vende në renditjen e FIFA-s për muajin mars, të publikuar ditën e djeshme nga organizmi drejtues i futbollit botëror. Kombëtarja jonë e futbollit e gjen veten tashmë në vendin e 73-të me 464 pikë. “Në renditjen e marsit janë marrë parasysh gjithsej 55 ndeshje miqësore”, lexohet në faqen zyrtare të FIFA. Përfaqësuesja kuqezi renditej në vendin e 66-të, në klasifikimin e shkurtit. Në dhjetëshen e parë veçohet Argjentina, që ka marrë vendin e katërt në dëm të Brazilit. Renditja e FIFA-s vazhdon të kryesohet nga Spanja. Kampionët e botës ndiqen nga Holanda dhe Gjermania.
JORGIS MEMO
© Panorama.al











