Ato janë të forta, dinë ta ngrenë zërin kur dhe ku duhet. Në 8 mars, 40 gra dhe vajza nga e gjithë Shqipëria gjetën mënyrën më të mirë për t’u bërë epiqendra e ditës, që zyrtarisht u takon atyre. Përkundër festimeve dhe takimeve tradicionale, të përvitshme, ato vendosën të takojnë pikërisht Presidentin e Republikës, Bamir Topi, për ta njohur atë me një projekt trevjeçar të OSBE-së për rritjen e rolit të gruas në vendimmarrje në qytetet kryesore të vendit, por edhe ta ftojnë atë të bëhet “ndërmjetës” në strukturat përkatëse, për përmbushjen e “misionit” të tyre. “Ne jemi këtu sot për të shprehur këtë shqetësim, që në fakt është i të gjithë grave në mbarë Shqipërinë. Ne jemi këtu në kuadër të projektit trevjeçar të OSBE-së në Shqipëri “Rritja e rolit të grave në vendimmarrje”, i cili ka të bëjë me rritjen e rolit të gruas në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Puna trevjeçare me gratë drejtuese në jetën politike dhe publike ka qenë një përqasje e shkëlqyer për motivimin e burrave dhe grave në të gjithë vendin”, u shprehën ato, duke e njohur më tej Presidentin e Republikës me një “Platformë Kombëtare”, që lindi si rezultat i takimeve të tyre me forumet në nivel lokal dhe kombëtar, ku 500 vullnetare nga parti të ndryshme politike, nga shoqëritë civile, biznesi, shprehën publikisht mendime dhe diskutuan idetë e tyre, çka u pasua me ngritjen e grupeve të punës, në përbërjen e të cilave ka gra aktive, profesioniste të mira dhe pjesë të politikës, të propozuara e të zgjedhura nga vetë gratë në zona. Në “Platformën e tyre” gratë kërkuan përmirësimin e Kodit Zgjedhor, barazi gjinore, zbatimin e kuotën gjinore prej 30 % në listat e kandidatëve për kryetarët e bashkive e komunave, por edhe në këshillat bashkiake dhe komunalë, etj.. Përveç urimeve të rastit, Presidenti Topi vlerësoi veçanërisht projektin e ndërmarrë nga OSBE, “për ta sjellë interesin për pjesëmarrjen e gruas në qeverisje, më afër impenjimit dhe të motivimit të politikanëve dhe të shoqërisë”. Presidenti Topi u shpreh se duhen përgëzuar të gjitha ato gra që bëjnë një jetë aktive sociale e politike dhe se duhen nxitur të tjerat, për të ndjekur shembullin e tyre. “Gratë e zonave urbane natyrisht janë më të mundshme për të realizuar misionin e tyre, por asnjëherë nuk duhen harruar gratë e zonave rurale, që përtej asaj mungese vëmendjeje, janë të detyruara që të përballojnë punë të jashtëzakonshme fizike, për shkak të një realiteti që ato kanë në familjet e tyre. Ato kanë nevojë të jenë pjesë e programeve, e projekteve. Pra, më shumë mund, më shumë punë duhen nga institucionet, por edhe nga vetë gratë, në mënyrë që realitetin ne ta vrojtojmë dhe ta shërojmë në çdo qelizë të territorit”, u shpreh ai, duke treguar gatishmërinë për të mbështetur të gjitha projektet e këtij lloji që synojnë rritjen e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje. Aq më tepër tani që jemi në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit, ku kërkohet që në listat e kandidatëve të ketë sa më shumë emra femërorë dhe kjo jo për shkak të numrave, por sepse politika ka nevojë të zbutet e të ulë tonet e larta. “Ky është një projekt shumë i rëndësishëm, i cili nuk mund të kalojë vetëm me fjalë. Edhe në këtë sens është bërë një progres, falë një emancipimi të politikës, vite më parë u fut edhe koncepti i 30-përqindëshit. Personalisht nuk kam qenë ndonjëherë dakord. Natyra e ka sjellë në mënyrë të tillë që probabiliteti i lindjes së femrave dhe meshkujve gjithmonë shkon në 50 e 50. Natyra asnjëherë nuk ka gabuar. Për besimtarët do të thoja se ‘Zoti asnjëherë nuk ka gabuar’. Pra, ashtu siç vijmë dhe projektohemi në mënyrë shumë natyrale në këtë botë të përbashkët, ashtu dhe interesat janë të tilla”.
Platforma kombëtare
Platforma kombëtare
1. Të përmirësojnë Kodin Zgjedhor, në mënyrë që të garantohet përfaqësimi i plotë i grave në të gjitha organet vendimmarëse;
2. Të zbatojmë me rreptësi dispozitat ligjore mbi barazinë gjinore të Kodit Zgjedhor, dhe të Ligjit mbi Barazinë Gjinore në Shoqëri, veçanërisht kuotën gjinore prej 30%;
3. Të zbatojnë kuotën gjinore prej 30 % në listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë dhe komunalë;
4. Të aplikojnë kuotën gjinore prej 30 % edhe në listat e partive politike për kryetarë bashkish dhe komunash, edhe pse kjo ende nuk përcaktohet në Kodin Zgjedhor;
5. T’i bëjnë publike listat e kandidatëve përpara se ato t’i dërgohen KQZ-së, në mënyrë që publiku të njihet me emrat e kandidatëve, të diskutojë edhe të konsultohet lidhur me ta;
6. Të heqin sanksionin ekzistues mbi moszbatimin e kuotës gjinore, prej 30%;
7. Të forcojnë sanksionet lidhur me moszbatimin e kuotës gjinore duke kërkuar moscertifikimin e listave në vend të vendosjes së gjobave simbolike;
8. Të zbatojnë kuotën gjinore prej 30% në komisionet zgjedhore”
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











