Sikur ato të ishin në politikë, gjërat do të kishin qenë ndryshe. I sheh luftar ake, imponuese, por më pas, me një buzëqeshje e ndryshojnë krejtësisht situatën. Rrinë krah për krah njëra tjetrës. Janë të majta, të djathta, nga shoqëria civile… Vijnë nga e gjithë Shqipëria, nga Tropoja, Kukësi, Saranda, Pogradeci, Korça, Durrësi, Kavaja… dhe nuk e kanë të vështirë ta gjejnë gjuhën me njëra-tjetrën. Janë gra aktive, të suksesshme në profesionet e tyre. Janë mjeke, juriste, ekonomiste, ka edhe me grada shkencore. Ajo çka u duhet tani është të mësojnë të imponohet, të gjejnë rrugët e duhura dhe veshin e duhur. E aq më tepër në prag të një fushate elektorale, lufta e tyre është dyfishe. Duhet të luftojnë të jenë sa më shumë të pranishme në listat e kandidatëve, me qëllim që zëri i tyre të jetë i përfaqësuar në institucionet më të larta, në këtë rast ato vendore. Kjo është arsyeja pse në vazhdën e projektit 3-vjeçar, “Rritja e rolit të grave në vendimmarrje”, OSBE-ja ka mbledhur në një trajnim tre ditor gra dhe vajza nga e gjithë Shqipëria. Një trajnim mbi avokimin dhe lobimin, të folurën në publik dhe marrëdhëniet me mediat. Ato janë të sigurta në atë që bëjnë. Kërkojnë me çdo kusht të dëgjohen, të jenë të përfaqësuara, jo vetëm sepse përbëjnë gjysmën e popullsisë, por edhe sepse janë më punëtore, të përgjegjshme dhe të buta. “Gruaja është shumë punëtore, burri s’punon aq sa ajo, dhe kjo është e provuar. Gratë jo vetëm janë më të stabilizuara, por edhe i shuajnë gjakrat”, thotë Sose Çallpani, kryetarja e Lidhjes Demokratike, dega Tropojë. Kur e thotë këtë, ajo niset nga eksperienca e saj personale. Si një ish-e persekutuar, pozicionimi i saj djathtas ishte i kuptueshëm, por jo vetëm kaq. Sosja i është futur politikës qysh prej ’91-shit me dëshirën për të qenë pjesë e ndryshimeve. “Kur mora drejtimin e Forumit të gruas në Tropojë, ishin vetëm katër anëtare, dhe pothuajse kam qenë e vetme, por sot kam arritur t’i bëj 200 anëtare. Sigurisht kërkon punë sakrificë, përkushtim, por mund t’ia dalësh”, thotë ajo teksa të tregon se janë propozuar 5 femra për kryetare bashkie, 6 për këshillin bashkiak, një prej të cilave është edhe ajo vetë. Ajo për të cilën ajo po lufton tanimë, është që gratë të zënë kreun e listës së kandidatëve, me qëllim që ato të jenë fituese. Madje ajo thotë se do të ishte e kënaqur sikur fituesja të ishte edhe nga PS-ja, veç të ishte femër. I së njëjtës mendje është edhe Nusha Hoxha, po e spektrit të djathtë, nga Tirana. “Për çështjet e gruas unë i harroj ngjyrimet politike, sepse kur jemi sëbashku jemi një zë, kur jemi të ndara nuk arrijmë gjë”, thotë ajo, duke shtuar se “gratë e kanë treguar se dinë të bëjnë politikë, është më e butë dhe e mirëkuptueshme. Ne dimë të bëjmë ligje, dimë t’i zbatojmë, jemi më pak të korruptueshme, meshkujt duhet të na besojnë”. Vjollca Pllaha nga Pogradeci, përfaqësuese e spektrit të majtë thotë se vështirësitë janë të mëdha, kur bëhet fjalë për përfshirje të gruas në politikë, e aq më shumë kur vjen puna tek listat dhe numrat. “Duhet të jemi më të forta, duhet të bëhemi grusht, që të marim pozicionin tonë në jetën shoqërore. As po na e falin as po na mëshirojnë, është pjesa që na takon, sepse jemi pjesë përbërëse e shoqërisë në përqindje më të madhe se burrat.
Ky trajnim na shërbeu, sepse na bëri të shohim përtej ngjyrimeve politike”, thotë Pranvera Bajaziti nga Kavaja. Projekti i mbështetur nga OSBE-ja ka nisur në dhjetor të vitit 2008 nga Fondacioni Suedez SIDA në bashkëpunim me Mbretërinë e Holandës. Qëllimi i këtij projekti është të mbështesë gratë shqiptare, për të qenë sa më shumë pjesë e proceseve vendimmarrëse, të jenë pjesë e strukturave në nivel lokal dhe qendror. Për këtë qëllim janë zhvilluar takime, forume, konfernenca, trajnime me qindra gra në komunat dhe bashkitë e gjithë vendit. Së fundmi është ngritur edhe një grup task forcë prej 40 grash, të cilat do të rrezatojnë përgatitjen dhe njohjen e tyre tek të gjitha gratë, në zonat nga ato vijnë.
ALMA MILE











