Gratë në Kuvend, njësoj sa në vitin ‘96

Mar 6, 2011 | 12:19

Kanë arritur më në fund të bëhen 20, por po kaq vite kanë kaluar që nga zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri. Gratë në Kuvend ende nuk mund t’i quash të paktën minorancë, por vetëm një fasadë e imponuar nga propaganda e 20-30 përqindëshit.
Me profesione kryesore juriste dhe ekonomiste, femrat e Parlamentit shqiptar janë shtuar me kalimin e viteve, por aq ngadalë, saqë nga 10 deputete që ishin në vitin 1991, në 2001 rezultojnë 22. Duket sikur numri është dyfishuar, por në fakt vetëm sa ka barazuar Parlamentin e vitit 1996. Të mos u hyjmë në hak, kanë 1 deputete më tepër se në vitin 1996!
Duke bërë një retrospektivë dhe referuar statistikave të Kuvendit të Shqipërisë, nga gjashtë zhvillime elektorale që janë bërë në dy dekada, kanë depërtuar në sallën e parlamentit 858 burra dhe vetëm 92 gra. Nga këto zonja, 50 kanë qenë të Partisë Demokratike, 39 të Partisë Socialiste dhe veç 3 deputete të Partisë Socialdemokrate. Partitë e tjera politike janë kënaqur vetëm me burrat kuvendorë…
Si kanë evoluar gratë në Kuvend
Llogaritjet do t’i fillojmë nga viti 1991, kur pati edhe një gjysmë pluralizmi politik. Nga 250 deputetë që ishin në atë kohë, 10 prej tyre u zgjodhën femra. Nga këto, 6 ishin nga Partia e Punës dhe 4 të tjera nga Partia Demokratike, e cila u legjitimua për herë të parë. Lindita Prifti, Rushen Golemi, Gjinovefa Ndreniku dhe Natasha Lako kanë qenë femrat e para, që garuan dhe fituan nën siglën e një partie të sapoformuar dhe lejuar pas 45 vitesh diktaturë. Megjithatë, jetëgjatësia e tyre në këtë legjislaturë nuk zgjati shumë, pasi në 1992 u përmbys përfundimisht komunizmi dhe u shpall zyrtarisht pluralizmi politik. Në Parlament u votuan sërish femra dhe numri ishte një më pak, pra 9, por ndërkohë nuk ishin më 250 deputetë, vetëm 140. Ndryshim rrënjësor pati edhe partishmëria e këtyre zonjave. Nga këto 9 deputete, 8 i përkisnin siglës së Partisë Demokratike dhe vetëm 1 nga Partia Socialiste, që sapo i ishte ndryshuar emri nga Parti e Punës.
Zgjedhjet e vitit 1996 shënuan një shtim masiv të femrave në politikë. Mandati i deputetes u mor nga 21 gra, por sërish vetëm Ermelinda Meksi vijoi të ngelej e Partisë Socialiste dhe 20 të tjera ishin të Partisë Demokratike. Megjithatë, ashtu si në vitin 1991, ky Parlament nuk e çoi mandatin deri në fund. Zgjedhjet e reja zhvillohen në korrik 1997, por ulet fuqishëm numri i zonjave në Kuvend. Po ashtu ndryshon në kah të kundërt edhe partishmëria e tyre në sallë. Nga 11 gra që u zgjodhën, 9 ishin të Partisë Socialiste, 1 nga Partia Socialdemokrate dhe 1 nën siglën e Partisë Demokratike. Mandati i këtij Kuvendi vijoi sipas ligjit dhe në shtator 2001, dalin të zgjedhurit e rinj, por femrat ishin po aq sa në vitin 1992, pra 9 deputete. Nga këto, 7 dolën nga Partinë Socialiste dhe 2 nga Partia Demokratike. Një shtim prej vetëm 2 zonjash u bë në zgjedhjet që vijuan, ato të korrikut 2005. U pa edhe një barazim femrash, sipas partive kundërshtare që përfaqësonin. Nga këto, 4 ishin të Partisë Socialiste, 4 të Partisë Demokratike dhe 2 të Partisë Socialdemokrate. Kjo kurbë pak a shumë e njëjtë ndër vite, u ngrit shumë në zgjedhjet e Qershorit 2009, ku u vu si kusht përfaqësimi i grave në listat e zgjedhësve në masën 30%. Plot 22 femra arritën të ulen në sallën e Kuvendit, megjithatë shifra mbetet ende e ulët në rast se krahasohet me vitin 1996, ku ishin 21, madje pa qenë fare kushti i përqindjeve femërore…
20 deputete rinore, 2 veterane
Sa i përket moshës, parlamentaret tona njihen si më rinoret e Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si në zgjedhjet e viteve të kaluara, ashtu edhe në katërvjeçarin e fundit. Mosha mesatare e tyre është 30-50 vjeç. Në këtë legjislaturë, 15 prej tyre përfaqësohen për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë, 5 për herë të dytë dhe vetëm 2 prej tyre rezultojnë si “veterane”. Këto janë Ermelinda Meksi e Partisë Socialiste, që vijon të jetë në Kuvend nga 1992-shi dhe Jozefina Topalli nga viti 1997. Madje, duhet theksuar fakti që Ermelinda Meksi ka qenë deputetja e vetme femër e së majtës në vitin 1992, kur edhe u bënë zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, por edhe në vitin 1996. Sa u përket profesioneve, parlamentaret tona kanë qenë dhe janë kryesisht ekonomiste, juriste ose mësuese. Të paktën kështu figuron zyrtarisht në të dhënat e Kuvendit. Në Parlamentin e zgjedhjeve të fundit, pra të 2009-s, 5 deputete janë juriste, 4 ekonomiste, 3 vijnë nga Shkencat Politike, ndërsa të tjerat janë mësuese, aktore dhe mjeke.

Kronologjia

Kronologjia

15 prill 1991
Zhvillohen zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri. Nga 250 deputetë që ka pasur në atë kohë Kuvendi shqiptar, vetëm 10 prej tyre kanë qenë femra. Gjashtë ishin nga Partia e Punës dhe 4 nga Partia Demokratike.
2 shkurt 1992
Partia e Punës u shndërrua në Partinë Socialiste. Ndryshoi sistemi zgjedhor, i cili nuk dërgonte më në Kuvend 250 deputetët, por vetëm 140, pasi ato zgjidheshin në bazë të sistemit zgjedhor mazhoritar – proporcional.
4 prill 1992
Në zgjedhjet e reja, të cilat u zhvilluan më 4 prill 1992, shqiptarët dërguan në Kuvend vetëm 9 deputete femra, të cilat 8 vinin nga Partia Demokratike dhe vetëm 1 nga Partia Socialiste, që ishte Ermelinda Meksi.
1 korrik 1996
Në zgjedhjet e treta pluraliste në Shqipëri morën mandatin e deputetes për të përfaqësuar shqiptarët në Kuvend 21 gra, nga të cilat 20 ishin të zgjedhura nën siglën e PD dhe vetëm 1 nën siglën e PS.
15 maj 1997
Kuvendi nuk arriti dot të përfundojë mandatin deri në fund. Ende pa u mbushur 1 vit nga trazirat e asaj kohe, Parlamenti u detyrua të ndërpresë seancat plenare për 3 muaj për t’i rifilluar në korrik.
23 korrik 1997
Edhe pse duhet të ishte një muaj pushimesh, pas zgjedhjeve të reja mblidhet Parlamenti. Deputetet femra arritën të marrin vetëm 11 gra, nga të cilat 9 nga PS-ja, 1 nga PS-ja dhe 1 nën siglën e Partisë SocialDemokrate.
3 shtator 2001
Zhvillohen zgjedhjet e pesta pluraliste, por ulet numri i grave në Kuvend. Nga 140 deputetë, nga të cilat këtë herë 9 prej këtyre deputeteve ishin gra, 7 përfaqësonin Partinë Socialiste në Kuvend dhe vetëm 2 prej tyre PD-në.
3 korrik 2005
Pas zgjedhjeve të gjashta pluraliste, numri i grave në parlament shtohet vetëm me një. Nga 140 deputetë në Kuvend, 10 prej tyre ishin femra, nga këto 4 për Partinë Socialiste, 4 për Partinë Demokratike dhe 2 për Partinë Socialdemokrate.
28 Qershor 2009
Pas propagandës së partive politike dhe ligjit të detyruar për të patur 20 përqind të grave në parlament, dyfishohet numri. Në këtë legjislaturë janë 22 femra. 11 janë nën siglën e PD-së dhe po kaq nga PS-ja.

 

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura