Tre persona duke u prezantuar herë si policë rrugorë e herë si agjentë të Antidrogës, kanë grabitur qytetarë të shumtë, kalimtarë dhe drejtues mjetesh në Tiranë. Dy prej të dyshuarve u arrestuan dje, ndërsa i treti u shpall në kërkim. Pasi kanë realizuar 3 grabitje njëra pas tjetrës, brenda pak orësh, njëri prej të dëmtuarve ka arritur të fiksojë targën e makinës së tyre tip “Mercedez” dhe i ka denoncuar në polici. Dy javë pas denoncimit, policia ka vënë në pranga “policët e rreme”, nëpërmjet një operacioni të koduar me të njëjtin emër, pas një hetimi me metodat speciale. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë dje se në pranga kanë përfunduar Erald Markola, 23 vjeç dhe Enea Kajaçi, 22 vjeç.
Ndërsa është identifikuar dhe shpallur në kërkim “polici” i tretë, i cili mbante edhe një pistoletë në brez, sipas përshkrimeve të të dëmtuarve, që sipas Policisë është Fatmir Gjoçi. Ky i fundit njihet edhe me emrin Alban Ila, pasi rezulton ta ketë ndryshuar identitetin. Burime nga grupi hetimor thanë se 3 të dyshuarit, kishin arritur të kryenin 3 grabitje brenda natës, më datë 3 nëntor, në rrugica të errëta, fillimisht në Unazë të Re, më pas te rruga “Irfan Tomini” dhe e kanë mbyllur te lagjja “Kodra e Diellit”. Ndërsa ata akuzohen gjithashtu edhe për grabitjen e një të riu nga Kosova që lëvizte me makinë, të cilit i janë prezantuar si punonjës të Policisë Rrugore, duke i vjedhur paratë dhe telefonat.
DENONCIMET
Rreth dy javë më parë, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës janë bërë tri denoncime njëra pas tjetrës, nga tre të rinj që pretendonin se ishin rrahur në rrugë dhe ishin vjedhur nga persona që prezantoheshin si policë. Sipas denoncimeve, një grup prej tre vetash, që lëviznin me një makinë “Mercedes Benz”, me ngjyrë gri dhe me targa të Tiranës, kishin kryer vjedhjen e parë me armë pak para mesnatës së datës 3 nëntor në afërsi të “Fabrikës së Miellit”, pranë Unazës së Re. Ata kanë ndaluar në rrugë një të ri, duke iu prezantuar si punonjës Policie dhe i kanë kërkuar të japë një dokument identifikimi. Në momentin që kalimtari S. Elezi ka nxjerrë portofolin, tre të dyshuarit kanë nxjerrë pistoletën dhe e kanë goditur me grushte e tytë pistolete, duke i marrë të gjitha paratë që kishte në kuletë. I dëmtuari ka njoftuar policinë dhe ka bërë kallëzim në Komisariatin Nr.6, e ndërkohë që policia ka rrethuar zonën për kapjen e autorëve, pak minuta më pas një denoncim i ngjashëm është bërë në sallën operative. Një kalimtar ka shpjeguar se pranë shkollës “Vasil Shanto” ishte i shtrirë një person i gjakosur. Policia e ka identifikuar të plagosurin si K. Bendaj, edhe ky “viktimë” e radhës e tre “policëve”. Gjatë bisedës me punonjësit e Policisë, i dëmtuari ka shpjeguar mënyrën se si e kishin grabitur, që ishte e ngjashme me rastin e parë. Po gjatë asaj natë ka ndodhur edhe një tjetër vjedhje, me të njëjtin mekanizëm, pranë zonës së njohur si “Kodra e Diellit”, ku personi i grabitur, S. Bezhani, ka shpjeguar se një polic e ka goditur me tytën e pistoletës dhe më pas i ka marrë paratë që kishte në portofol dhe celularin. Etleva Delia
© Panorama.al











