Grabitje e shpërndarje droge në Tiranë, dy në pranga, 2 në kërkim

Mar 10, 2011 | 11:06

TIRANE – Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi Policia e Tiranës zbuloi bandën e grabitjeve dhe të shpërndarjes së drogës në kryeqytet dhe në zonat e Kavajës. Policia ka pohuar dje se gjatë operacionit të koduar “Kasollja”, nga sektori i Antidrogës dhe Komisariati nr.5 si dhe policia e Kavajës, u bë i mundur dokumentimin i disa grabitjeve dhe sekuestrimi i sasisë prej 4 kilogramë bimë narkotike, kanabis sativa. Policia tha se arrestuan Drilon Çuni, 21 vjeç nga Skrapari dhe Gani Seferi, 20 vjeç nga Rrogozhina. Ndërsa filloi procedimi penal për vëllezërit Rexh e Egzon meshi, 32 dhe 18 vjeç, nga Hasi dhe banues në Laknas të Tiranës, të cilët janë shpallur në kërkim. Njëri prej vëllezërve të shpallur në kërkim, Rexh Meshi, ka qenë i dënuar më parë në Angli me akuzën e vjedhjes. Arrestimi i dy prej anëtarëve të grupit, u krye në flagrancë, pasi dy ditë më parë kishin realizuar një vjedhje në fshatin Harizaj të Kavajës. Ata u arrestuan duke qarkulluar në segmentin rrugor Rrogozhinë-Kavajë, me një motor, me targë TR 739 H, ku gjatë kontrollit, Gani Seferit iu gjet një pistoletë elektrike paralizuese dhe dy shishe sprai paralizues, që dyshohet se të akuzuarit i përdornin për të kryer vjedhjet me dhunë. Pas arrestimit të tyre, u arrit dokumentimi i ngjarjeve të ndodhura në Paskuqan, tek Kodra e Kuqe dhe në Kamzë, Tiranë, si dhe në disa fshatra të tjera të Kavajës. Policia sqaroi se nga verifikimet e kryera, rezultoi se të arrestuarit dyshohen të jenë autorë të vjedhjes së një banesë te Kodra e Kuqe, ku kanë marrë orendi elektroshtëpiake, një tjetër banesë në Paskuqan, ku kanë vjedhur 120 mijë lekë dhe 70 euro, si dhe një banesë në Kamzë ku kanë marrë 2.5 milionë lekë të vjetra. Ndërsa gjatë ecurisë së hetimeve ka filluar procedim penal si bashkëpunëtorë në këto vjedhje, edhe për dy vëllezërit Rexh dhe Egzon Meshi, në shtëpinë e të cilëve, në Laknas të Tiranës, u gjet sasia prej 4 kilogramë kanabis, qese farmacie, si dhe objekte të vjedhura.

TE ARRESTUAR

Drilon Çuni, 21 vjeç,
nga Skrapari
Gani Seferi, 20 vjeç,
nga Rrogozhina

NE KERKIM
Rexh Meshi, 32 vjeç, banues në Laknas
Egzon Meshi, 18 vjeç, banues në Laknas

© Panorama.al

Te lidhura