TIRANE – Njëri nga dy personat e dyshuar si autorë të grabitjes me armë ndaj çiftit Pepkolaj në Kamzë, ra dje në prangat e policisë. Renard Markaj u arrestua nga policia e kryeqytetit pa kaluar ende dy ditë nga ngjarja. Grabitja për të cilën akuzohen ai dhe bashkëpunëtori i tij, i shpallur në kërkim, ndodhi mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:00, në rrugën që lidh Kamzën me Kasallën. Markaj, bashkë me mikun e tij, kanë qenë të maskuar dhe të armatosur. Ata i kanë prerë rrugën me motor makinës me të cilën udhëtonte Fatjon Pepkolaj dhe bashkëshortja e tij. Pasi e kanë detyruar drejtuesin e mjetit që të ndalojë duke i drejtuar armën, i arrestuari Renard Markaj i ka kërcënuar që të zbrisnin nga makina. Nën kërcënimin e armëve, çifti Pepkolaj ka zbritur nga makina dhe njëri prej autorëve i ka kontrolluar për t’iu vjedhur paratë që mund të kishin nëpër xhepa dhe objektet e tjera personale, ndërsa tjetri ka kontrolluar makinën. Sipas policisë, Markaj dhe bashkëpunëtori i tij kanë arritur të vjedhin rreth 200 mijë lekë të vjetra që ndodheshin në kroskotin e makinës dhe më pas janë larguar me motor nga vendi i ngjarjes. Policia e Tiranës njoftoi dje se nga kontrolli i bërë në ambientet e lokalit në pronësi të Renard Markjat, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale armë e ftohtë thikë, lëndë e dyshuar narkotike, si maska me ngjyrë të zezë. Sipas hetimeve, i arrestuari dyshohet të jetë i implikuar edhe në ngjarje të tjera dhe po punohet për dokumentimin e tyre.











