Grabitet argjendaria në qendër të qytetit të Durrës. Dy të rinj të maskuar, pasi kanë hyrë në ambientet e brendshme të dyqanit, kanë mundur të marrin një sasi bizhuterish dhe sendesh të tjera të çmuara.Personat, të cilët sipas dëshmitarëve në vendngjarje, ishin rreth moshës 25-30 vjeç, u larguan menjëherë pas ngjarjes që ndodhi pasditen e djeshme. Burime të policisë së Durrësit bënë të ditur se në momentin e grabitjes në argjendari nuk kanë qenë të pranishëm shitësit, por vetëm pastruesja. Ata nuk kanë ushtruar dhunë ndaj saj, pasi pastruesja nuk ka reaguar nga frika. Pasi kanë marrë sendet e çmuara, dy autorët janë larguar me këmbë, duke shfrytëzuar edhe zonën e populluar. “Ngjarja ka ndodhur pranë qendrës së qytetit, në një zonë tejet të populluar, ku dy persona, të cilët mbanin në kokë maska të zeza, kanë hyrë në argjendari dhe duke vënë nën presion punonjësen, kanë marrë një sasi bizhuterish dhe sendesh të tjera të çmuara”, bëri të ditur policia. Nga dëshmia e punonjëses së argjendarisë, mësohet se një nga grabitësit mbante në dorë një send që ngjante me pistoletë. “Nuk e kisha mendjen kur hynë në dyqan, pasi isha me shpinë nga dera. Pashë që pas meje ishin dy burra me maskë në kokë dhe u tremba. Nuk dija çfarë të bëja. Njëri prej tyre mbante pistoletë. Më shau dhe më tha të mos bëja zhurmë, ndërsa tjetri mblodhi bizhuteritë që ndodheshin në dyqan. Pasi mbaruan punë, më thanë të mos dilja nga cepi ku më kishin futur. Kur ata u larguan dhe më kthyen shpinën, i hoqën maskat, por nuk arrita të identifikoja asnjërin prej tyre”, u shpreh punonjësja e dyqanit të grabitur. Menjëherë në vendngjarje mbërriti policia e Durrësit. Specialistë të seksionit kundër vjedhjeve me dhunë dhe me armë, nisën të mbledhin të dhënat për zbulimin e identitetit të dy personave, nëpërmjet gjurmëve të gishtave që mund të kenë lënë në vendngjarje. Nga të dhënat e para hetimore mësohet se është grabitur një sasi prej rreth 2 kg flori, vlera e të cilit arrin në 8.4 milionë lekë, ndërsa mbetet ende enigmë identiteti i autorëve. Ndonëse të filmuar nga kamerat e sigurisë, policia nuk ka mundur të zbardhë emrat e tyre, për shkak se në kokë ata mbanin maska. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, autorët kanë shfrytëzuar vendin, i cili në atë orë është i mbipopulluar dhe janë larguar në këmbë duke mos rënë aspak në sy. Mendohet se grabitësit janë banorë të zonës, pasi e kanë pasur mjaft të lehtë për t’u larguar. Ata kanë shfrytëzuar rrugicat e lagjes, rrugë në të cilat mund të kalohet vetëm me këmbë. Kjo është grabitja e dytë e ndodhur në një hark kohor prej 30 ditësh, pas bankës greke në një nga zonat më të populluara të qytetit.
Lidhin e keqtrajtojnë të moshuarën për ta grabitur
LEZHE – Një 70-vjeçare nga fshati Shënkoll i Lezhës është lidhur e më pas keqtrajtuar, gjatë tentativës për ta grabitur në banesën e saj. Dy të rinj u arrestuan si autorë të ngjarjes që ndodhi dje rreth orës 03:00. Amaros Deda, 22 vjeç, dhe Fatmir Lika, 22 vjeç, që të dy nga Shënkolli, u prangosën disa orë pas keqtrajtimit të së moshuarës, Gjyste Radi. Sipas policisë, ata kanë qenë me maska dhe të armatosur në momentin që janë futur në banesën e 70-vjeçares. Ata e kanë lidhur dhe me pas keqtrajtuar, duke i kërkuar t’u tregonte vendin ku mbante paratë. Në momentin e ngjarjes e moshuara ka qenë e vetme në banesë. Kanë qenë familjarët e saj që e kanë gjetur në mëngjes të lidhur, të gjakosur dhe thuajse pa ndjenja. Ata sinjalizuan policinë, e cila mbërriti në vend dhe pas hetimeve identifikoi e më pas arrestoi autorët e dyshuar. Mësohet se 70-vjeçarja ka marrë dëmtimet më të shumta në kokë pasi e kanë goditur me mjete të forta. Në banesat e të arrestuarve u gjetën një automatik dhe një pistoletë, me të cilat dyshohet se kanë kryer grabitjen. Të arrestuarit pranuan autorësinë. r.n
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











