Grabitet kambisti, tre të rinj me thika i marrin 3 mijë euro

Sep 29, 2011 | 11:10

Tirane – Tre persona sulmuan dhe grabitën një kambist në Tiranë, të cilin pasi e rrahën, i vodhën çantën me 3 mijë euro. Ngjarja ndodhi gjatë natës duke u gdhirë dita e djeshme, pranë lulishtes “1 Maji”, përballë ish-ekspozitës “Shqipëria sot” në Tiranë. Sipas Policisë, 46-vjeçari Paulin S. ka qenë duke ecur në drejtim të bllokut të pallateve për të shkuar në shtëpi, kur është sulmuar dhe është grabitur. Në një moment kur është futur në një rrugicë të errët, që të çon drejt stadiumit “Selman Stermasi”, kambistit i kanë prerë rrugën 3 persona, të pamaskuar, por me thika në duar, që fillimisht e kanë kërcënuar e më pas e kanë goditur me grushte, duke i marrë çantën ku kishte paratë. Nga deklarimet që ka dhënë në polici Paulin S., ka treguar se në çantë kishte rreth 3 mijë euro, që i kishte marrë me vete në shtëpi, pas mbylljes së dyqanit ku ushtronte aktivitetin. I dëmtuari ka lajmëruar policinë menjëherë pas grabitjes dhe drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr.2, si dhe oficerë të seksionit të vjedhjeve me dhunë dhe armë. Kambisti është marrë në pyetje nga policia dhe ka bërë kallëzim për ngjarjen, ku pretendon se kanë qenë tre të rinj të armatosur me thika që e kanë sulmuar, rrahur dhe i kanë vjedhur paratë. Ai ka treguar se autorët nuk kanë pasur maska në kokë, por nuk ka mundur t’i identifikojë për shkak të errësirës, edhe pse sipas tij dukeshin që ishin të rinj në moshë. Madje, kambisti 46-vjeçar tregon se gjatë gjithë rrugës, teksa po kthehej për në shtëpi, ka dëgjuar hapa pas tij, por nuk ka kthyer kokën për të parë se kush ishte mbrapa. Por ai pretendon se janë pikërisht këta persona që e ndiqnin, ata që e sulmuan në errësirë dhe i grabitën paratë. Nisur nga deklarimet dhe përshkrimet që i dëmtuari ka dhënë për autorët në polici, grupi hetimor ka nisur verifikimet për identifikimin e autorëve që kanë kryer grabitje. Ndërsa mësohet se kambisti ka marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak, pasi kishte një plagë në kokë.

© Panorama.al

Te lidhura