Grabitën me armë, arrestohen 4 persona

Mar 11, 2011 | 13:40

VLORE- Policia e Vlorës organizoi një operacion që e kodoi “Vjosa” dhe arrestoi katër persona që ishin kthyer në tmerrin e disa fshatrave, pasi grabisnin me armë e maska. Të arrestuarit janë shtetasit: Haveljand Zykaj, 20 vjeç, Lorenc Kapaj, 18 vjeç, Sebastion Zykaj, 19 vjeç dhe Enerik Zykaj, 25 vjeç, që të gjithë nga Selenica. “Të katër këta persona në bashkëpunim me njëri- tjetrin, në mbrëmjen e së mërkurës, në vendin e quajtur “Bregu i Llanajve” në aksin rrugor Selenicë-Vlorë kanë vjedhur duke përdorur armët e zjarrit pesë shtetas dhe tri automjete të banorëve të kësaj zone. Ata iu kanë marrë paratë si dhe sende të ndryshme si celularë dhe bizhuteri”, bëri të ditur policia. Autorët u zinin pritë anash rrugës dhe më pas, sapo shikonin makinën që afrohej, i dilnin para të armatosur dhe të maskuar. Pasi qëllonin në ajër apo anash mjetit, ata i detyronin të ndalonin shoferët dhe më pas iu grabisnin gjithçka kishin me vete. Njëri nga personat e dëmtuar ka mundur të njoftojë policinë, e cila shumë shpejt mbërriti në vendngjarje dhe në një kohë rekord arriti të identifikojë e më pas të arrestojë autorët. Nga kontrollet e ushtruara në banesa, policia sekuestroi armë, municione si dhe maska, me të cilat realizoheshin grabitjet. Pas verifikimeve si dhe të ekspertimit balistik të armëve dhe të gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, rezultoi se ato ishin të njëjta. Të rinjtë kanë pranuar krimin, por kanë pohuar se armët i kishin gjetur në disa shkurre. Policia dhe prokuroria po kryejnë hetime të mëtejshme ndaj personave të arrestuar, pasi ka dyshime se ata mund të jenë autorë të disa ngjarjeve të ngjashme të ndodhura në zonën e Selenicës, Vllahinës, Gorishtit etj.                      q.b

© Panorama.al

Te lidhura