Po zhvillohet këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) seanca e radhës e gjyqit të ish Presidentit Ilir Meta dhe ish bashkëshortes së tij e ish deputetes Monika Kryemadhi.
Meta dhe Kryemadhi janë të dy të pranishëm në sallë, ndërkohë që kreu i Partisë së Lirisë përfaqësohet nga avokati i ri Bujar Musta pasi Kujtim Cakrani njoftoi disa ditë më parë se nuk do të ishte mbrojtësi ligjor i tij.
“Nuk më janë vënë në dispozicion të gjithë aktet me qëllim që procesi të zhvillohet në një kohë sa më te shpejtë”, ka deklaruar Meta në seancë.
Ndërkohë, gjykata është shprehur se aktet janë gati prej kohësh, por avokati mbrojtës i Metës ka refuzuar t’i marrë.
Kujtojmë që çështja për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin është ndarë nga tre të tjerët, Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku. Ish çifti i bashkëshorteve do të gjykohen me gjykim të zakonshëm, ndërkohë që tre të tjerët me gjykim të shkurtuar.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
© Panorama.al












