Gjyqi, Ilir Meta: Do të kërkojmë rreth 100 dëshmitarë të tjerë përveç atyre që ka thirrur SPAK! Letër porosi edhe për Charles McGonigal

Jun 19, 2026 | 13:46

Ilir Meta ka reaguar në lidhje me gjyqin që po zhvillohet ndaj tij dhe bashkëshortes Monika Kryemadhi. Me anë të një postimi në Facebook, Meta shprehet se mirëpresin 100 dëshmitarët e thirrur nga SPAK, ndërsa bën  të ditur se ata vetë do të kërkojnë dëshminë e rreth 100 personave të tjerë, duke përfshirë diplomatë dhe zyrtarë amerikane.

ilir meta seanca ne themel kafazi xhami gjkko kryemadhi (13)

Ai thekson se ftesë të veçantë do të ketë për të gjithë aksionerët dhe drejtorët e DIA-s së Uashingtonit, si edhe për drejtuesit e McKeon Group, përfshi edhe avokatin greko-amerikan Fidetzis.

“Koha e deduksioneve mbaroi, gati për të bërë hetimet që nuk ndodhën për 8 vjet!

Mirëpresim rreth 100 dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria e Posaçme dhe veçanërisht tre super-kallëzuesit.

Edhe ne do të kërkojmë rreth 100 dëshmitarë të tjerë, nga të cilët rreth 40 shtetas të huaj, kryesisht qytetarë, diplomatë dhe zyrtarë amerikanë, përfshirë të gjithë përfaqësuesit e kompanive lobuese që kanë bërë kontrata me LSI.

Ftesë të veçantë do të ketë për të gjithë aksionerët dhe drejtorët e DIA-s së Uashingtonit, si edhe për drejtuesit e McKeon Group, përfshi edhe avokatin greko-amerikan Fidetzis”, shkruan Meta.

Presidenti i Partisë së Lirisë shkruan se edhe  Charles McGonigal do ti drejtohen disa pyetje me anë të letërporosive.

“Për shkak të pamundësisë së Charles McGonigal për t’u paraqitur personalisht në gjykatë, i cili po bën burg në SHBA për Edi Ramën dhe po vuan për dëmin katastrofik që u bëri marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, do t’i drejtojmë edhe atij përmes gjykatës një sërë pyetjesh përmes letërporosive”, shkruan Meta.

ilir meta

© Panorama.al

Te lidhura