Pas skandalit të varrezave të Boboshticës, ekspertiza e kryer ka nxjerrë rezultatin se eshtrat e dala në sipërfaqe janë njerëzore.Këtë fakt e bëri të ditur dje, në seancën e parë gjyqësore në Gjykatën e Korçës, prokurorja e kësaj çështjeje, Irena Çunoti. Pas shtyrjeve maratonë të seancave, fillimisht për shkak se të akuzuarit kërkuan ndryshimin e trupit gjykues, e më pas, vetë të pandehurit nuk u paraqitën në gjykatë, dje u zhvillua normalisht seanca e parë. Të pranishëm ishin tre të akuzuarit për dhunimin e varreve, kreu i OMONIA-s së Qarkut Korçë Naum Disho, punëtori Alqi Koroveshi nga fshati Polenë dhe punëtori tjetër Luan Zaçe. Përfaqësuesja e prokurorisë paraqiti provat për tre të pandehurit. Një ndër provat e paraqitura prej saj ishin edhe dokumentet se komuna Drenovë ku përfshihet fshati Boboshticë nuk ka dhënë leje për të kryer punime betonizimi në një pjesë të varreve të këtij fshati. Më tej, përfaqësuesja e organit të akuzës u ndal në ekspertizën shkencore të eshtrave të dala në sipërfaqe të varreve, nga punimet e kryera në to. Sipas saj, janë 11 fragmente të eshtrave të gjetura në sipërfaqe të varreve të vjetra të fshatit Boboshticë, të cilat pas ekspertimit të kryer rezultuan se janë eshtra njerëzore. Dalja në sipërfaqe e pjesëve të eshtrave njerëzore është një ndër elementët hetimorë që rëndon më së shumti pozitën e tre të pandehurve për dhunimin e varreve të fshatit Boboshticë. Akuza përfshiu në provat e saj edhe betonizimin në një sipërfaqe mbi 50 metra katrorë të këtyre varrezave nga kryerja e punimeve. Prokurorja Çunoti, në paraqitjen e rezultateve të hetimit, tha se ka edhe një listë të dëshmitarëve që do të thirren në proces gjyqësor duke nisur nga seanca e ardhshme. Tre të pandehurit pretenduan dje se nuk mund të akuzohen. Naum Disho, kreu i OMONIA-s së Qarkut Korçë, i vetmi që ka avokat mbrojtës në këtë proces, u shpreh se nuk mund të akuzohet për dhunim të varrezave përderisa nuk ka qenë i pranishëm kur janë kryer punimet. Po kështu edhe punëtorët Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe, u shprehën dje se ata vetëm sa kanë kryer punime, por nuk kanë parë të dalin eshtra gjatë hedhjes së betonit në varrezat e Boboshticës. Reagimi për punimet e betonizimit të varrezave të fshatit Boboshticë dhe daljes në sipërfaqe të eshtrave njerëzore, erdhi në muajt shtator-tetor të vitit të kaluar nga banorët e këtij fshati. Prokuroria e Korçës nisi hetimet dhe i nxori përgjegjës me akuzën e dhunimit të varreve kreun e OMONIA-s Naum Disho, si dhe të punësuarit prej tij Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe.
NE AKUZE
Naum Disho
kreu i OMONIA-s së Korçës
Alqi Koroveshi
punëtori nga fshati Polenë
Luan Zaçe
punëtori tjetër i betonizimit
KORÇE/ GEZIM ASHIMI
© Panorama.al











