Gjykata: Shkelje në vendimet e “puçistëve” dhe të KMSH

Mar 17, 2011 | 10:20

Vendime të marra pa shumicën e nevojshme të përcaktuar në Statutin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, votime nga persona pa të drejtë vote dhe pasaktësi në pasqyrimin e vendimmarrjeve nga procesverbalet e mbledhjeve në vendimet e zbardhura.Me këto argumente Gjykata e Tiranës ka pranuar pak javë më parë padinë e katër ish-anëtarëve të kryesisë së KMSH-së, të shkarkuar nga detyra në shtator 2010, pas një “përplasjeje” të ashpër në rangjet drejtuese të Komunitetit. Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin që u dha të drejtë paditësve Ali Hallaci, Betim Truci, Bujar Topçiu dhe Ilir Vokshi se vendimet e marra nga KMSH për shkarkimin e tyre ishin të pavlefshme, pasi ishin në shkelje të hapur të Statutit të KMSH dhe rregullores së tij. Katër të sipërpërmendurit u shkarkuan fillimisht me vendim të Kryesisë së KMSH-së në 15.09.2010 e, më pas, edhe nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm në 18.09 2010. Kjo, pasi në një mbledhje të paprecedentë në 15.09.2010, ata vendosën pezullimin nga detyra të kreut të KMSH-së, Selim Muça.
Kështu sipas vendimit Nr.12, dt.15.09.2010 të Kryesisë së KMSH, është vendosur lirimi nga detyra i paditësit Ilir Vokshi, si Myfti i rrethit Tiranë. Sipas gjykatës, për këtë vendim ishte mbajtur procesverbal përkatës, ku pohohej se në mbledhje ishin prezentë 6 veta dhe se kishte 4 mungesa. Një nga të fundit njoftonte se ishte i sëmurë. Sipas vendimit, në fund në procesverbal, si pjesëmarrës rezulton edhe një emër tjetër i shtuar, përkrah të cilit ishte shënuar fjala (me vonesë). Ndërkohë, në asnjë moment tjetër të procesverbalit nuk pasqyrohej paraqitja e tij në mbledhje. “Duke i qëndruar korrekt procesverbalit, jepet përshtypja se ai ka nënshkruar vendimin, pasi ai ishte marrë. Nga personat e sipërpërmendur, rezulton se 6 veta kanë votuar pro dhe z.Osman Tomja ka votuar kundër. Krahasuar ky procesverbal me vendimin e zbardhur, rezulton se emri i z.Shaban Saliaj nuk figuron më tek ky i fundit. Gjatë gjykimit, të dyja palët konfirmuan se z.Shaban Saliaj nuk është anëtar i zgjedhur i Kryesisë së KMSH. Si rrjedhojë, nuk ka pasur të drejtë vote në mbledhje për marrjen e vendimeve”, thuhej në arsyetimin e vendimit. Po në një mbledhje të datës 15.09.2010, në një mbledhje të Kryesisë së KMSH-së u vendos shkarkimi nga detyra i paditësit Betim Truci, Ilir Vokshi, Ali Hallaci dhe Bujar Topçiu. “Gjykata vëren se lidhur me këtë vendim është mbajtur dhe procesverbali përkatës, i nënshkruar nga sekretari D.Demetja. Krahasuar ky procesverbal me vendimin e zbardhur, rezulton se në këtë të fundit janë shtuar edhe dy pika të tjera. Bie në sy se për paditësin Bujar Topciu nuk rezulton të jetë diskutuar në mbledhje e të jetë marrë ndonjë vendim, ndërsa në vendimin e zbardhur rezulton i shkarkuar nga detyra”, sqarohej në vendim. Po në arsyetimin e gjykatës, pohohej se “Dy vendimet sa më sipër, janë marrë pa pasur kuorumin e nevojshëm të përcaktuar në Statut, dhe janë nënshkruar nga persona që kanë qenë të pezulluar dhe pa të drejtë vote. Si rrjedhojë, këto dy vendime janë të pavlefshme”.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura