Shkalla e parë e gjyqësorit të Gjirokastrës, ka marrë vendim, për pezullim të aktivitetit të kryetarit të Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës Sulo Muçobega. Drejtuesi i seancës gjyqësore Pëllumb Vehbiu, pasi ka marrë nën administrim të gjithë materialin e paraqitur nga ana e prefektes së Qarkut të Gjirokastrës Mimoza Çomo për vlerësim të paligjshëm të të gjitha vendimeve që ka ndërmarrë Këshilli i Qarkut prej 20 shtatorit e këtej, ka dalë në konkluzionin se çështja, meriton një gjykim serioz dhe kësisoj, merret e bazuar në ligj, pezullimi i aktivitetit të kryetarit të zgjedhur vetëm me votat e majta, Sulo Mucobega.
Socialistët e Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës nuk kanë dashur fare të prononcohen për këtë çështje, ndonëse pranojnë nën zë se ky vendim është mëse i drejtë dhe konform ligjit, pasi ata u janë bindur urdhrave politikë, ndërkohë që me ndërgjegje, Sulo Muçobega, as që nuk duhej të ishte fare që në fillim anëtar i këtij organi pasi rezulton i punësuar në Këshillin e Qarkut deri ditën kur u zgjodh në krye të tij.
Prefektja e Qarkut të Gjirokastrës Mimoza Çomo, pasi ka mësuar vendimin e zbardhur nga Gjykata e Faktit, i ka kërkuar kryetarit, Sulo Muçobega të lirojë zyrën.
Situata është mjaft konfuze në Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës pasi rrogat kanë dy muaj pa u marrë dhe nervozizmi në fytyrat e të punësuarve në administratë, nuk mungon. Deri sa gjykata të shprehet qartë për vendimet e marra në mënyrë të njënshme nga socialistët për zgjedhjen e kreut të Këshillin e Qarkut, ky i fundit, do të drejtohet nga prefektja e Gjirokastrës Mimoza Çomo, ashtu siç e përmban edhe ligji në të tilla raste.
Piro Nase
© Panorama.al











