Me anë të një padie penale në Gjykatën e Lartë, avokatët e ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta kanë kërkuar shpalljen si të papërdorshme të videos së regjistruar nga Dritan Prifti më 10 mars 2010 në Ministrinë e Ekonomisë.Avokatët kanë shpjeguar në kërkesën e tyre se ndonëse videoja nuk përmban fakte apo veprime të paligjshme në adresë të ish-zv.kryeministrit Meta, ajo duhet të shpallet e papërdorshme si provë nga Prokuroria e Përgjithshme. Në një kohë kur Prokuroria e Përgjithshme po vijon hetimet ndaj tij, ish-kryeministri Meta pretendon se videoja ku ai shfaqej bashkë me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, duke biseduar për afera të pretenduara si korruptive, nuk mund të përdoret nga organi i akuzës, pasi përbën një material që është administruar jashtë kërkesave të ligjit. Burime pranë Gjykatës së Lartë konfirmuan depozitimin në këtë institucion të një kërkese penale ku palë kërkuese është Ilir Meta, ish-ministër i Energjetikës dhe aktualisht kryetar i LSI-së. Sipas burimeve, objekti i kërkesës është “papërdorshmëri e provës” në lidhje me përgjimin e realizuar mes tij dhe Priftit rreth një vit më parë në Ministrinë e Ekonomisë në Tiranë. Kjo kërkesë është regjistruar më 16 mars në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që ende nuk është përzgjedhur Kolegji Penal që do ta shqyrtojë atë. Mësohet se kërkesa është argumentuar me faktin që prova nuk është marrë konform ligjit dhe, si e tillë, nuk mund të përdoret. Referuar nenit 151, paragrafit të fundit të Kodit të Procedurës Penale në lidhje me marrjen e provave, përcaktohet se “papërdorshmëria ngrihet edhe kryesisht në çdo gjendje dhe fazë të procedimit”. Bazuar në videon e regjistruar nga Prifti dhe mbi provat e tjera të grumbulluara, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Parlamentit heqjen e imunitetit të ish-zv.kryeministrit Meta.
Baza ligjore
Kërkesa e dorëzuar nga avokatët e ish-kryeministrit Ilir Meta në Gjykatën e Lartë i referohet në përmbajtje dhe procedurë Kodit të Procedurës Penale. Sipas nenit 131, pika 2 e Kodit të Procedurës Penale, “Gjykata që deklaron pavlefshmërinë e një akti urdhëron përsëritjen e tij kur është e nevojshme dhe e mundshme, duke ia ngarkuar shpenzimet atij që ka shkaktuar pavlefshmërinë me dashje ose nga pakujdesia e rëndë”. Po kështu, dorëzimi i kërkesës në Gjykatën e Lartë u referohet përcaktimeve ligjore sipas të cilave kompetente për personat me imunitet është Gjykata e Lartë, edhe pasi të hetuarit i është hequr imuniteti me vendim të Parlamentit. Nga ana tjetër, Kodi i Procedurës Penale parashikon se pavlefshmëria lidhur me aktet e hetimeve paraprake dhe me ato të kryera për sigurimin e provës duhet të kundërshtohet para se të fillojë shqyrtimi gjyqësor. Dosja penale aktualisht është ende në hetim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe shqyrtimi i saj gjyqësor ende nuk ka filluar.
Dritan Prifti përgjoi veten duke marrë rreth 70 mijë euro në shtëpi
TIRANE – Më 11 shkurt 2011, Prokuroria e Përgjithshme iu adresua Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetëve Ilir Meta dhe Dritan Prifti. Heqja e imunitetit të ish-zv.kryeministrit Meta u kërkua bazuar në përmbajtjen e bisedës së regjistruar mes tij dhe Dritan Priftit më 10 mars 2010 në Ministrinë e Ekonomisë. Prokuroria i deklaroi Kuvendit se videoja krijonte dyshime të bazuara, për të cilat ishte e nevojshme heqja e imunitetit të Metës, për kryerjen e hetimeve të mëtejshme ndaj tij. Në të njëjtën ditë Prokuroria e Përgjithshme kërkoi heqjen e imunitetit edhe për Dritan Priftin. Ky rezultoi i implikuar në një skenë të dyshuar korruptive, e cila ka ndodhur më 11 mars 2010, një ditë pasi ish-ministri kishte përgjuar bisedën me Metën. Prifti kishte regjistruar në banesën e tij në Tiranë ish-zv.ministrin e Ekonomisë Leonard Beqiri, teksa ky i jepte ish-ministrit një shumë prej 70 mijë eurosh. Kjo video e dytë u gjet në lap-topin dhe pajisjet që Dritan Prifti kishte dorëzuar në Prokurori, pas nisjes së hetimeve në lidhje me videon e parë. Pajisjet, përfshi mjetet e përgjimit dhe kompjuterin, iu dorëzuan specialistit amerikan, i cili gjeti se videoja që implikonte Priftin ishte fshirë nga kompjuteri, por kishte mbetur në memorien BIO të pajisjes. Specialisti amerikan e rikuperoi materialin dhe më pas ia dorëzoi Prokurorisë, e cila identifikoi protagonistët në këtë regjistrim.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











