Gjykata e Apelit lë në fuqi lirimin e Delijorgjit dhe Pinarit

Mar 12, 2011 | 13:19

TIRANE – Gjykata e Apelit e Tiranës la të pandryshuar vendimin e ndërmjetëm të trupës gjykuese të dosjes “Gërdeci”, për lirimin nga paraburgimi të tre të pandehurve, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeci, për shkak të kalimit të afateve të paraburgimit. Apeli shqyrtoi dje ankimin e Prokurorisë mbi vendimin e Gjykatës së Tiranës të datës 7 shkurt, që liroi nga qelitë të pandehurit. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se sërish argumentet e palëve kishin të bënin me datën e caktimit të afateve të parabu-rgimit. Sipas përfaqësuesit të Prokurorisë, llogaritja e afateve duhet të niste në qershor të vitit 2009, kohë kur dosja “Gërdeci” ka mbërritur për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Ndërsa avokatët kanë pretenduar se afatet e parab-urgimit për klientët e tyre kishin përfunduar, pasi llogaritja e afateve, sipas tyre, nis në mars 2009, kur dosja mbërriti për gjykim në Gjykatën e Lartë. Në përfundim, gjykata vendosi lënien në fuqi të vendimit të ndërmjetëm të Shkallës së Parë. Të pranishëm në seancën në Apel kanë qenë të pandehurit Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeci. I pandehuri Mihal Delijorgji është përfaqësuar nga avokati i tij. Ndërkohë, prania e avokatëve në Gjykatën e Apelit dështoi dje, në seancën e radhës në gjykimin e dosjes në themel në Gjykatën e Tiranës. Pasi gjykata konstatoi mungesën e disa prej avokatëve në proces, vendosi ndërprerjen e saj dhe shtyrjen në një datë të re.      ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura