Gjykata, djalit të Remzi Hoxhës: Zbatuam ligjin

Jan 7, 2012 | 17:42
Ardian Hoxha

TIRANE- Gjykata e Larte i pergjigjet letres se hapur te Ardian Hoxhes, djalit të të ndjerit Remzi Hoxha, duke i quajtur te pabaza pretendimet e tij per vonim te qellimshem te zbardhjes se vendimit, per t’i lene shteg arratise se Ilir Kumbaros.

Ne nje deklarate per mediat, Gjykata e Larte sqaron se ka vepruar ne perputhje me ligjin dhe ka investuar për çështjen në fjalë konform ligjit dhe proçedurave ligjore, për më shumë se një herë.

Djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i zhdukur në vitin 1995, permes nje letre i kërkon Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të urdhërojë hetim dhe procedim penal për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.

Ne leter, ai i etiketon togat e zeza të Gjykatës së Lartë si “përgjegjës” për arratisjen e Ilir Kumbaros.

Me poshte deklarata e plote

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë shqyrtuan çështjen me të pandehur Ilir Kumbaro, me objekt “Caktim i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, dhe me vendimin nr. 7 datë 14.10.2011 vendosën lënien në fuqi të vendimit nr. 5, datë 05.01.2010 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, i cili miratoi vendimin nr.154, datë 15.12.2009 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë.

Ndryshe nga sa pretendohet, Gjykata e Lartë është investuar për çështjen në fjalë konform ligjit dhe proçedurave ligjore, për më shumë se një herë dhe, duke parë problematikat ligjore që paraqiste çështja, ka treguar kujdesin maksimal për të respektuar nje proçes të rregullt ligjor dhe pa paragjykuar asnjë nga palët në të drejtat e tyre themelore.

Nën kujdesin maksimal të Kryetares së saj, Znj. Shpresa Beçaj, kjo gjykatë duke marrë në vlerësim rëndësinë e çështjes dhe problematikat proceduriale konstatuar gjatë shqyrtimit të saj në Kolegjin Penal, kaloi me përparësi gjykimin në Kolegje të Bashkuara, midis 6000 çështjeve të rregjistruara në atë kohë pranë kësaj gjykate. Megjithatë, për të arritur në vendimin përfundimtar, i cili e la në kushtet e arrestit me burg të pandehurin I. Kumbaro, duke e konsideruar si një masë të përshtatshme dhe në përputhje me rrezikshmërinë shoqërore si të vepres dhe të autorit, Kolegjet e Bashkuara të kësaj gjykate kanë punuar hap pas hapi për të krijuar mundesitë ligjore e teknike në mënyrë që të realizohej një gjykim i drejtë e i paanshëm.

Gjatë këtij procesi, Kryetares së Gjykatës së Lartë i është dashur të anashkalonte pengesat që buronin nga: mungesa e kuorumit të nevojshëm të gjyqtarëve për tu mbledhur dhe vendosur në  Kolegje të Bashkuara në përputhje me ligjin organik dhe Kushtetutën; pamundësia e Kolegjeve të Bashkuara për të dalë me një vendim përfundimtar pasi qëndrimi i gjyqtarëve lidhur me mënyrën e zgjidhjes së çështjes u nda në mënyre të tillë që nuk lejonte krijimin e një shumice minimale (6 pro, 6 kundër) dhe vetem pas plotësimit të trupës gjyqësore me dy gjyqtarë të rinj, së fundmi u krijuan mundësitë ligjore dhe teknike për t’u mbledhur dhe vendosur për këtë çështje.

Në ndryshim nga vendimet e kolegjeve të thjeshta dhe Kolegjeve të Bashkuara, Vendimet Unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara kërkojnë një arsyetim më të argumentuar, më të detajuar dhe me përgjegjësi, në mënyrë që ato të jenë produkt i një interpretim të drejtë dhe korrekt të ligjit, pasi ato kane vlere jo vetëm për paleët në gjykim, por shërbejnë dhe si praktikë gjyqësore për të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë. I tillë është edhe Vendimi Unifikues i datës 14.10.2011 me të pandehur Ilir Kumbaron.

Për këtë arsye, në mbështetje të parimit të transparencës dhe në funksion të informimit në çdo kohë të publikut, nga ana e këtij institucioni u bë e mundur publikimi i vendimit të shumicës së anëtarëve të Kolegjeve të Bashkuara më datë 20.12.2011 në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.

Gjykata e Lartë, sqaron sërish opinionin publik, mbas qëndrimit të mbajtur prej saj në datën 13.12.2011 pranë agjensisë së lajmeve “Balkan Insight”, se pasoja e ardhur, arratia e shtetasit Ilir Kumbaro, nuk ka asnjë lidhje shkakësore me procedurat ligjore dhe administrative të detyrueshme që kanë të bëjnë me çështjen në fjalë. Vendimi i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda Nr 5 datë 05.01.2010 i cili vendosi lënien në fuqi të vendimit Nr.154, datë 15.12.2009 të Gjykatës së Shkallës së Pare të Krimeve të Rënda në lidhje me masën së sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Ilir Kumbaro, objekt shqyrtimi në Kolegjet e Bashkuara, është vendim i formës së prerë. Ekzekutimi i ketij vendimi nuk është pezulluar nga ana e Gjykates se Larte.

Për sa parashtrohet më sipër, në lidhje me pretendimet e Z. Ardian Hoxha për të “urdhëruar një hetim dhe procedim penal për Kryetaren e Gjykatës së Lartë dhe Kolegjin Penal ” të kësaj gjykate, theksojmë dhe një herë se: Gjykata e Lartë dhe anetarët e saj në shqyrtimin e kësaj çështjeje dhe dhënien e këtij vendimi, kanë zbatuar me përpikëri vetëm Kushtetutën dhe ligjin.

 

SHPRESA BEÇAJ

KRYETARE E GJYKATËS SË LARTË

© Panorama.al

Te lidhura