BERAT – Një 46-vjeçar nga Berati, emigrant prej tetë vitesh në Greqi, është kërcënuar prej disa muajsh nga persona ende të paidentifikuar, të cilët i kanë vendosur një gjobë prej 30 mijë eurosh. Kërcënimet nisën rreth tre muaj më parë në Greqi, ku gjobëvënësit i kanë lënë një letër në derën ku ai banon duke i kërkuar edhe shumën e mësipërme. Andrea Zaro, banor i lagjes “Çlirimi” në Berat, rrëfeu dje tronditjen kur i njëjti episod po përsëritet edhe në Shqipëri. Ai ka gjetur dje në derën e banesës një letër ku i kërkohej shuma e 30 mijë eurove, si dhe katër fishekë në shenjë kërcënimi. Zaro është kthyer në Berat që për festat e fundvitit, por kërcënimet e herëpashershme kanë bërë që ai të lërë vendin e punës në emigrim dhe të qëndrojë afër familjes. “Jetoj si emigrant ekonomik në Greqi. U ktheva nga frika se mos i bënin keq familjes. Por kërcënimet vijojnë edhe këtu. Kam gjetur te dera e shtëpisë letrën me të njëjtin tekst, si dhe katër fishekë”,- u shpreh 46-vjeçari, pasi kishte bërë më parë denoncimin në Policinë e Beratit. Sipas tij, tri ditë më parë, persona ende të paidentifikuar i kanë marrë djalin 18 vjeç peng, duke e mbajtur për rreth dy orë në periferi të qytetit. “I kërkuan të paguante 30 mijë euro duke e kërcënuar me vrasje. Unë nuk kam lekë, kam punuar si emigrant ekonomik në një ishull të Greqisë dhe përfitoja sa për të ushqyer familjen. Këta persona me kanë vënë 4 fishekë te dera, duke më paralajmëruar se ju jeni në familje 4 veta dhe këta fishekë janë për secilin prej jush. Policia duhet të ndalojë kërcënuesit e familjes sime”, u shpreh më tej emigranti. Ai pohoi se familja e tij ndodhet në panik nga kërcënimet e herëpashershme, duke cituar edhe një SMS në telefonin e tij më 13 janar, ku gjobëvënësit i kërkojnë shumën e parave, në të kundërt do të hakmerren ndaj fëmijëve të tij. d.xh











