Gjoba ndaj Leonard Bombajt, akuzë dy personave

Sep 7, 2011 | 11:06
Arkimed Lushaj (Stresi), duke dalë nga Gjykata e Krimeve të Rënda

TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda u njofton akuzën dy prej personave të akuzuar për “gjobëvënien” ndaj regjisorit Leonard Bombaj. Ditën e hënë, prokuroria ka marrë në pyetje këngëtarin Arkimed Lusha (Stresi) dhe më pas i ka njoftuar atij akuzën, ndërsa ditën e djeshme, një tjetër i dyshuar, shtetasi Elis Bashaj, është thirrur në institucionin e akuzës. Ai është marrë në pyetje në Prokurori në lidhje me pretendimet për gjobëvënien  20 mijë euro ndaj këngëtarit Leonard Bombaj, ndërsa më pas i është njoftuar akuza për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë, kryer në bashkëpunim. Burimet zyrtare të Prokurorisë thanë se këngëtari Arkimed Lusha, gjatë dëshmisë së tij nuk e ka pranuar akuzën në asnjë moment. Ai ka thënë se nuk i ka vënë gjobë asnjë personi dhe aq më tepër regjisorit Leonard Bombaj. Prokuroria, nga ana tjetër, pohon se këto janë veprimet e fundit hetimore për këtë çështje dhe se dosja këtë javë apo javën e ardhshme mund të dërgohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda për shqyrtim gjyqësor. Një javë më parë, këngëtari Arkimed Lusha u ndalua nga policia e Pogradecit në mënyrë të gabuar, ndonëse Gjykata e Lartë e kishte anuluar urdhër-arrestin ndaj tij që në korrik 2011. Një ditë pas ndalimit në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku po shkonte në Maqedoni për një koncert, këngëtari Arkimed Lusha u la i lirë. Që nga viti 2010, Prokuroria e Krimeve të Rënda po kryen hetime në lidhje me një padi të ndërsjellë që “Stresi” dhe regjisori Leonard Bombaj kanë bërë ndaj njëri-tjetrit. Stresi e ka akuzuar regjisorin për përdhunimin e një vajze 15-vjeçare, e cila ka qenë pjesë e akademisë së drejtuar nga Leonard Bombaj. Ky i fundit, ka mohuar përdhunimin dhe ka thënë se akuzat ndaj tij janë bërë pasi vajza është përjashtuar nga akademia e filmit. Megjithatë, ekspertiza e Prokurorisë ka provuar se vajza e mitur ka kryer marrëdhënie seksuale, por deflorimi ka ndodhur kohë para se të bëhej padia ndaj Bombajt, ndaj, nuk ishte e mundur të përcakohej personi që ka kryer aktin. Prokuroria e Krimeve të Rënda, akuzon këngëtarin e njohur me emrin “Stresi” dhe dy shokë të tij se i kanë marrë 5 milionë lekë, makinën, si dhe i kanë kërkuar 20 mijë euro Leonard Bombajt.

Hetimi

Dosja penale, e cila po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me akuzat për këngëtarin Stresi, është regjistruar fillimisht në Prokurorinë e Tiranës. Akuza fillestare e referuar ka qenë marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur ndaj regjisorit Bombaj, por kjo akuzë nuk u ngrit asnjëherë, pasi Prokuroria tha se nuk gjeti prova për ta mbështetur padinë në fjalë.

© Panorama.al

Te lidhura